Ngjarjet e vitit 1997 janë nga më të dhimbshmet e historisë së Shqipërisë. Shteti pothuajse u “shkri” dhe i gjithë populli u ngrit në protesta masive. Ngjarjet u provokuan nga rënia e skemave piramidale të kohës, të cilat sollën me vete një shkatërrim mjaft të madh dhe mijëra viktima. Më shumë se sa 3000 persona sipas shifrave të shtypit të atyre viteve humbën jetën dhe miliona armë e fishekë u morën nga depot e ushtrisë shqiptare.

Përmes emisionit “Opinion” realizuar 16.03.2006 nga gazetari Blendi Fevziu ngjarjet e ‘97 trajtohen në katër puntata radhazi.

Në pjesën e parë trajtohen ngjarjet duke filluar nga fundi i Dhjetorit të vitit 1996 e deri në Shkurt kur në Vlorë nisën protestat masive.

Ritvan Bode në periudhën e lulëzimit të firmave piramidale ishte në krye të Ministrisë së Financave. Përmes një interviste ai tregon se si ishte fenomeni i huamarrjes.

“Fenomeni i huamarrjes në Shqipëri në fillesat e tregut ishte një fenomen krejt normal pasi nuk kishte sistem bankar efiçent që mund të financonte dhe keditonte firmat e reja që lindën dhe gjithë infrastruktura e një ekonomie tregu ishte embrionale. Në fillim huamarrja private luajti një rol pozitiv, por me kalimin e kohës u shëndërrua në një fenomen abuziv”, tha Bode.

Në vjeshtën e vitit 1996 shqiptarët filluan të magjepseshin nga modeli i një kapitalizmi krejtësisht të çuditshëm. Një kapitalizmi që të lejonte të qëndroje në shtëpinë tënde dhe të arrije fitime përrallore që nuk mund të arriheshin përmes punës dhe as përmes një biznesi mjaft fitimprurës. Rreth 850 mijë shqiptarë, sipas burimeve të shtypit në Shtator të vitit 1996 e siguronin jetesën e tyre relativisht luksoze falë firmave piramidale.

Por cilët ishin protagonistët dhe firmat e tyre piramidale?

Vehbi Alimuça, president i firmës VEFA. Krijuar në vitin 1991 dhe në Janar të 1997-ës kursimet e tij kapnin shumën 100 milionë dollarë.

Fitim Gërxhëlliu, president i firmës GJALLICA. Ishte firma më e madhe në Vlorë.

Pëllumb Shehaj, president i firmës SILVA. Në vitin 1997 kishte në bankë rreth 17 milionë dollarë.

Lefter Cenaj, president i firmës CENAJ. E kishte shtrirë aktivitetin në Vlorë dhe ishte ndër firmat që rezistoi më gjatë. Në ditët më të mira kishte të depozituara në bankë 16 milionë dollarë.

Ferdinant Kamberi, president i firmës KAMBERI.

Mustafa Leka, president i firmës LEKA. Në ditët më të mira kishte në bankë 2.2 milionë dollarë.

Rrapush Xhaferri, president i firmës XHAFERRI. E filloi aktivitetin e tij masiv më 1996-tën dhe arriti të mbledhë mbi 100 milionë dollarë.

Bashkim Driza, president i firmës POPULLI. Më 1997 kishte në bankë 80 milionë dollarë.

Maksude Kadëna. Presidente e firmës SUDE. E filloi aktivitetin vonë, por gjithashtu arriti të mbledhë mbi 40 milionë dollarë.

Fajdet u kthyen në një lloj epidemie në atë kohë, shumë qytetarë depozituan jo vetëm kursimet, por shitën gjithçka me të cilën mund të jetonin, bagëtitë, shtëpitë etj, etj.

Rrapush Xhaferri nuk ishte i vetmi personazh mediatik i asaj kohe. Pothuajse të gjithë presidentët e kompanive rentiere u kthyen në personazhe vip të shoqërisë shqiptare. Ndërkohë qeveria shqiptare ishte e çorientuar përsa i përket qëndrimit që duhej të mbante ndaj tyre. Në vitin 1996 firmat piramidale marrin një hov të paparë. Më 31 Dhjetor të 1996 kurba e depozitimeve kapte vlerën 389 milionë dollarë.

Paralajmërimi i parë serioz lidhur me firmat piramidale në atë kohë u bë më 5 Tetor të vitit 1996 nga Ministri i Financave të asaj kohe Ritvan Bode. Pas disa takimeve në SHBA me përfaqësues të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar, të cilët qenë shumë të ashpër me të, Bode deklaroi: “Interesat e larta ngrenë dyshime për sigurinë e parave në firmat rentiere”.

Partitë e opozitës e dinin mirë se rënia e firmave piramidale do të ishte njëkohësisht dhe një rënie e qeverisë së Partisë Demokratike, e cila kishte vazhduar të qëndronte edhe pas zgjedhjeve të kontestuara të 26 Majit.

Ditët e katastrofës për firmat piramidale duket se po afroheshin dhe sinjalet filluan në Janar të 1997 ku kreditorët e firmës SUDE fillojnë të ndjejnë vështirësitë e para për tërheqjen e parave. Më 15 Janar Sudja del në katin e tretë të një pallati dhe thotë se nuk kishte më para.

Ajo deklaroi se kishte falimentuar dhe më 16 Janar u arrestua nga policia. Por ndërkohë që Sudja ishte në qeli, kreditorët e saj vijonin të qëndronin ditë e natë poshtë pallatit të saj ku ishte selia e fondacionit me shpresën se do të merrnin sërish paratë. Pasi humbin shpresën, qytetarët u nisen drejt qendrës së Tiranës dhe në këtë moment u ndaluan nga policia dhe  u shpërndanë me forcë.

Disa muaj më vonë Maksude Kadëna shfaqet në gjyq ku deklaron se konkurenca bëri që firma e saj të falimentonte. Pas arrestimit të Sudes, firma GJALLICA fillon të ketë probleme dhe ngjall revoltë tek qytetarët e Vlorës. Qytetarët në Vlorë fillojnë të kuptojnë se ndoshta paratë nuk do t’i merrnin kurrë.

Ditë të vështira fillojnë edhe për firmën VEFA, e cila nis të vonojë pagesat e kreditorëve të saj.

Ndërkohë që qeveria shikonte falimentimin e disa prej firmave, vendos të ndërhyjë në ato që ende nuk kishin shpallur falimentimin. Bllokon llogaritë bankare të fondacioneve POPULLI dhe XHAFERRI, shpall të paligjshëm aktivitetin e tyre dhe arreston drejtuesit e stafin. Më pas vendos të ndajë paratë sipas listave. Por në Lushnje situata vijonte të ishte tejet e tensionuar dhe më 24 Janar ngrihet një protestë e re, e cila sjell jo vetëm thyerjen e disa prej institucioneve shtetërore, por edhe bllokimin e qytetit me protesta.

Një ditë më vonë policia arreston 24 persona, gjë që ngjalli edhe më shumë zemërimin e qytetarëve lushnjarë. Protestën tenton ta shuaj Tritan Shehu, kryetari i Partisë Demokratike, zv. kryeministër dhe ministër i Jashtëm. Por protesta nuk ndalet, madje protestuesit marrin peng edhe vetë zv. kryeministrin në një nga dhomat e zhveshjes së stadiumit. Kryeministri Aleksandër Meksi kërkoi vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme në Vlorë, një kërkesë e cila u hodh poshtë nga grupi i demokratëve. Sipas tij marrja peng e zv. kryeministrit ishte e patolerueshme.

Lidhur me ngjarjet që po zhvilloheshin në Shqipëri shtypi ndërkombëtar nuk ishte më indiferent, madje ishte i shokuar prej tyre.

–Video e pjesës së dytë  e datës 23.03.2006 do të publikohet në ditët në vijim.

*Ky material është pjesë përbërëse e Arkivës së Televizionit Klan. /tvklan.al