Nibiru, teoritë konspirative për fundin e botës dhe NASA

Nibiru, teoritë konspirative për fundin e botës dhe NASA

19:00 22/09/2017

Teoritë e konspiracionit të Nibiru rreth fundit të botës kanë qarkulluar në internet për më shumë se dy dekada, me profeci që sëfundmi e parashikojnë fundin e botës më 23 Shtator 2017.

Planeti X ose Nibiru, i referohet një planeti mitologjik në sistemin tonë diellor, që mesa duket do të përplaset me Tokën dhe do të zhdukë racën njerëzore, megjithatë ajo vazhdimisht është hedhur poshtë nga NASA dhe ekspertë të tjerë, duke e konsideruar një mashtrim interneti.

Pavarësisht faktit që nuk ka asnjë provë shkencore për të mbështetur idenë e një planeti shkatërrues që po i afrohet Tokës, mitet rreth Planetit X vazhdojnë ende të qarkullojnë në internet.

Sigurisht, kjo nuk është hera e parë që këta “paralajmërues” parashikojnë fundin e botës; NASA e ka mohuar ekzistencën e Nibiru edhe një herë tjetër, në vitin 2012.

Gjatë gjithë historisë ka pasur pretendime të ngjashme, por fatmirësisht asnjë prej tyre deri më tani nuk është vërtetuar si i saktë.

Si filluan teoritë rreth Planetit X?

Teoritë në internet rreth Nibiru filluan të qarkullonin përsëri në vitin 1995, kur amerikanja Nancy Lieder krijoi faqen e fshehtë të konspiracionit "ZetaTalk".

Lieder pretendon të jetë urë lidhëse me alienët nga sistemi i yjeve Zeta Reticuli, 39.17 vite dritë larg nga Toka, të cilët e kanë paralajmëruar atë për katastrofën Nibiru.

Kjo teori konspiracioni nuk është zhdukur ende, kjo falë edhe të ashtuquajturit “shkencëtar” David Meade, i cili pretendon se Planeti X po vjen drejt nesh.

Meade beson se muaji Tetor mund të jetë fillimi i asaj që quhet “kthimi i të krishterëve në parajsë” dhe i një periudhe shtatë vjeçare fatkeqësish dhe katastrofash natyrore.

Pse 23 Shtatori?

Pretendohet se një marrëveshje e pazakontë hyjnore, po pasqyron sinjale nga Libri i Zbulesës së Biblës se më 23 Shtator do të nisë “fillimi i fundit të botës”.

Megjithatë, në faqen e internetit EarthSky thuhet se nuk do të ketë “asgjë unike”, për diellin, hënën, apo planetet në këtë datë.

“Në 1000 vitet e fundit, kjo ngjarje ka ndodhur të paktën katër herë, në 1827, 1483, 1293 dhe 1056”,

shpjegon astronomi Christopher M. Graney.

A nuk kemi qenë në të njëjtën situatë edhe më parë?

Kjo nuk është hera e parë që parashikohet apokalipsi:

1844:

Mësuesi amerikan protestant William Miller, për herë të parë shprehu publikisht besimin e tij në kthimin e Jezu Krishtit në vitin 1833, duke parashikuar se do të kthehej në vitin 1843.

Mileritët ishin pasuesit e tij dhe Milerizmi u bë një lëvizje kombëtare, por kur Jezusi nuk arriti, më 22 Tetor 1844, ata pësuan një zhgënjim të madh.

1997:

Njëzet vite më parë, 29 anëtarë nga “Porta e Parajsës”, një grup religjioz, kryen vetëvrasje me qëllim që të shkonin pas një disku fluturues që ata besonin që fshihej pas kometës Hale-Bopp, përpara fundit të supozuar të botës.

2003:

Planeti X thuhet se u zbulua nga populli i lashtë sumerian dhe pretendohej të godiste Tokën në vitin 2003, gjë që nuk ndodhi asnjëherë.

“Kjo katastrofë, fillimisht ishte parashikuar në Maj të vitit 2003, por meqenëse asgjë nuk ndodhi, data e “dënimit” u shty në Dhjetor 2012 dhe lidhej me fundin e një prej cikleve në kalendarin e lashtë Maya në dimrin e vitit 2012” , 

thotë NASA.

2011:

Fundi i botës gjithashtu supozohej të ndodhte më 21 Maj 2011, nga profeti i krishterë Harold Camping, i cili parashikonte se “Epoka e Re” do të niste në orën 18:00, në secilën prej zonave kohore të botës.

2012:

NASA-s iu desh të hidhte poshtë një teori të lashtë për fundin e botës në vitin 2012.

Teoria Maya “ishte një ide e gabuar që nga fillimi”, tha astrofizikani Dr. John Carlson në atë kohë.

“Kalendari Maya nuk përfundoi më 21 Dhjetor 2012 dhe nuk kishte profeci Maya që parashikonin fundin e botës në atë datë”.

2015:

Chris McCann, udhëheqës dhe themelues i shoqërisë eBible, tha se bota do të përfshihej dhe do të shkatërrohej nga një zjarr i madh më 7 Tetor.

McCann tha se ishte “i befasuar” nga rezultati dhe shkroi një postim në blog me titull:

“Një përgjigje për të qenë e pasaktë me parashikimin se me gjasë bota do të përfundonte më 7 Tetor.”

Çfarë thotë NASA për këtë rast?

NASA ka hedhur përfundimisht poshtë teoritë absurde të pseudoshkencës Nibiru, duke lëshuar një numër deklaratash që e mohonin ekzistencën e saj.

“Njerëz të ndryshëm po 'parashikojnë' se bota do të përfundojë më 23 Shtator, kur një tjetër planet do të përplaset me Tokën”,

thotë NASA.

Planeti në fjalë, Nibiru, nuk ekziston, kështu që nuk do të ketë katastrofë. Historia e Nibiru ka qarkulluar për vite dhe është ribotuar periodikisht në fabula të reja apokaliptike.”

Ata shtojnë:

“Nibiru dhe tregime të tjera rreth planetit shkatërrues janë një mashtrim në internet. Nuk ka bazë faktike për këto pretendime. Nëse Nibiru ose Planeti X do të ishin të vërteta dhe janë drejtuar për në Tokë ... astronomët do ta kishin ndjekur atë për të paktën dekadën e kaluar dhe do të ishte e dukshme deri tani me sy të lirë. Pra natyrisht, ajo nuk ekziston”.

“Eris është e vërtetë, por është një planet xhuxh i ngjashëm me Plutonin që do të mbetet në sistemin e jashtëm diellor; më i afërti që mund të vijë në Tokë është rreth 4 miliardë milje i distancuar nga Toka”.

Lajmi i rremë dhe ditët e përrallës së errësirës:

Një histori e rreme e lajmeve që qarkullonte gjerësisht në internet sugjeronte se NASA ka konfirmuar se Toka do të përjetojë 15 ditë të errësirës së plotë në Nëntor 2015.

Një tjetër video lajm i rremë thotë se NASA e ka gjetur Nibiru-n dhe ka konfirmuar se po vjen drejt nesh.

Faqja e internetit Debunking Snopes shpjegon se përralla e “ditëve të errësirës” është një thashethem i vjetër që qarkullon ndër vite.

Ata thonë se prej shumë kohësh kjo është kthyer në një mashtrim interneti, një shaka që rikthehet disa herë në vit nga faqe të rreme që thjesht përditësojnë hapësirën kohore rreth “fundit të botës” dhe e qarkullojnë përsëri në internet.

Çfarë thonë ekspertët e tjerë?

Nick Pope, i cili më parë investigonte UFO-t dhe mistere të tjera për llogari të Ministrisë së Mbrojtjes tha:

“Nibiru nuk ekziston”.

Ai shton:

“Bota nuk do të përfundojë më 23 Shtator. Turp për njerëzit që promovojnë këtë mashtrim në emër të krishtërimit ungjillor”.

“Unë jam i sigurt që Nibiru nuk ekziston, sepse nëse do të ishte vërtetë një planet i tillë, i cili po vjen drejt Tokës, tashmë do të dukej me sy të lirë.”

“Për më tepër, astronomët do të kishin qenë të vetëdijshëm për praninë e tij ndë vite, si nëpërmjet vëzhgimit të drejtpërdrejtë dhe përmes efekteve gravitacionale në planetet e tjera në sistemin diellor.”

Pse disa njerëz janë kaq të prirur për të promovuar këtë teori konspirative?

"Njerëzit që promovojnë këtë parashikim duket se e bëjnë këtë për shkak të besimit fetar, duke e lidhur ngushtë apokalipsin me pasazhe biblike, duke përfshirë edhe një nga Libri i Zbulesave

", thotë Pope.

“Unë dyshoj se arsyet përfshijnë promovimin e vetes dhe dëshirën për të promovuar markën e tyre të veçantë të krishterimit ungjillor.”

A ka ndonjë gjë për të cilën duhet të shqetësohemi?

“E gjithë kjo nuk do të thotë se nuk ekzistojnë disa kërcënime ekzistenciale, por nëse njerëzit duan të shqetësohen për diçka, ata ndoshta duhet të shqetësohen për raketat e Koresë së Veriut, ose për Iranin që po siguron armë bërthamore, jo për Nibiru-n

”, Pope shton.

“Ka pasur parashikime të panumërta për fundin e botës. Siç edhe e dimë, të gjitha këto parashikime ishin të rreme. 23 Shtatori do të kalojë pa incidente, ashtu siç ne kemi hedhur poshtë me siguri të gjitha datat e mëparshme që ishin paraqitur si fundi i botës”.

Burimi: The Telegraph 

Shqipëroi: tvklan.al 
Të ngjashme
UKT