Republikania Nikki Haley është tërhequr nga gara e brendshme e partisë duke i hapur rrugën Donald Trump të garojë për President të SHBA-së përballë demokratit Joe Biden.

Tërheqja e saj vjen një ditë pas Super të Martës, ku Donald Trump fitoi 14 nga 15 garat e nominimit të republikanëve.

Kështu, nga Partia Republikane është konfirmuar, siç pritej, Donald Trump që do të kandidojë për t’u zgjedhur sërish në krye të Shtëpisë së Bardhë në zgjedhjet e Nëntorit, përballë Presidentit aktual Joe Biden.

Megjithëse pranoi humbjen brenda partisë, Nikki Haley nuk u bëri thirrje votuesve të saj që të mbështesin Donald Trump, por tha se ky i fundit duhet të dijë si t’i fitojë votat e tyre.

Tashmë i përket Donald Trumpit që të fitojë votat e atyre në partinë tonë dhe përtej të tjerëve që nuk e mbështetën atë. Shpresoj që ai ta bëjë këtë”, tha Nikki Haley në deklaratën e saj.

Nikki Haley ka qenë Guvernatore e Karolinës së Jugut dhe ambasadore e SHBA në OKB gjatë Presidencës Trump.

Pas tërheqjes së Haley, ish-Presidenti amerikan Donald Trump nuk ka humbur kohë dhe u ka bërë thirrje mbështetësve të Nikki Haley që t’i bashkohen atij për të mposhtur Joe Biden.

/tvklan.al