Balluku: Brenda 10 muajve do kemi urën e re me standarde bashkëkohore

Pas dëmtimeve të shkaktuara nga tërmeti i 2019, Ura e Tapizës e ndërtuar në vitin 1973 do të bëhet e re dhe brenda standardeve. Ministrja Balluku së bashku me kreun e ARRSH-së inspektuan nga afër nisjen e punimeve.

“Për të filluar ndërtimin e Urës së Tapizës e cila është e përfshirë në programin e rindërtimit pas tërmetit të Nëntorit të vitit 2019, ne kemi nisur një skanim të të gjithë urave në territorin e Republikës së Shqipërisë, për shkak se janë ura të ndërtuara rreth viteve 70. Pra, shumica e urave janë ura që kanë një kohë përdorimi mbi 50 vite,” tha Ballluku.

Për të mos bllokuar lëvizjen e automjeteve, është ndërtuar një bypass paralel dhe sipas ministres Belinda Balluku, ura e re do përfundojë brenda Shtatorit të këtij viti.

“Rrjedha është normale pavarësisht se bypassi do të jetë provizor dhe do të jetë funksional vetëm për 10 muajt e ardhshëm, pasi synimi jonë është që ta dorëzojmë këtë urë deri në 30 Shtator të 2021. Pra, 10 muaj punë dhe një fond prej 1,5 milionë dollarësh i vënë në dispozicion nga programi i rindërtimit.”

Ura e Tapizës është një urë e rëndësishme për zonën në të cilën ajo ndodhet dhe që përballon një fluks prej afro 50 mijë automjetesh që hyjnë dhe dalin nga kryeqyteti në ditë.

Klan News