Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet edhe për skandalin tjetër të kompanisë DH Albania, atë të linjës 220 kilovolt Burrel-Peshkopi me vlerë 12 milionë euro.

Edhe këtë tender, ashtu si atë të ndërtimit të mbikalimit tek sheshi Shqiponja, si pjesë e lotit të parë të Unazës së Madhe, DH Albania dyshohet se e ka fituar përmes dokumenteve të falsifikuara.

Burime të Prokurorisë thanë për Tv Klan se dy dosjet janë bashkuar. Akuzat për të cilat po hetohet janë shpërdorimi i detyrës, falsifikimi i dokumenteve dhe shkelja e barazisë në tendera.

Drejt OST dhe Ministrisë së Energjetikës, Prokuroria do të dërgojë kërkesat për  vënien në dispozicion të të gjithë procedurës së tenderimit.

Hetimet e deritanishme të kryera, sa në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ashtu edhe në Shqipëri kanë nxjerrë në pah falsifikimin e dokumenteve zyrtare dhe të bilanceve nga kompania DH Albania, me përfaqësues ish-recepsionistin e një spitali privat, Avdiol Dobi.

Dokumentet e falsifikuara janë një certifikatë e Sekretarit të Shtetit të Delaware, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që kompania nuk ka detyrime fiskale, bilanci i kompanisë dhe regjistrimi i saj.

Ashtu si për tenderin 18 milionë euro të lotit të parë të Unazës së Madhe, edhe dokumentet e tenderit, 12 milionë euro të paraqitura nga DH Albania në OST, janë objekt hetimi edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku falsifikimi i certifikatës së Sekretarit të Shtetit është një vepër federale.

DH Albania në QKB rezulton që nuk ka administrator, por vetëm përfaqësues ligjor, Avdjol Dobi, i cili mund të thirret për t’u pyetur për këto çështje në ditët në vijim. Grupi hetimor është në pritje të informacioneve të kërkuara nga OST, Autoriteti Rrugor dhe Ministria e Infrastrukturës në lidhje me procedurat e tenderimit. Vetë OST njoftoi të hënën se e kishte anuluar tenderin, sapo ishte vënë në dijeni me dyshimet që kompania DH Albania kishte falsifikuar dokumentet.

Pjesë e hetimit, përsa i përket Unazës së Madhe, janë bërë të tre lotët, siç njoftoi vetë Ministri i Infrastrukturës, Damian Gjiknuri.

Nga verifikimi paraprak i prokurorëve ka dyshime se DH Albania ka kryer një zinxhir falsifikimesh. Kompania rezulton se nuk ka eksperiencë në ndërtimin e veprave të tilla pasi është themeluar dy muaj para zhvillimit të tenderit dhe jo në vitin 1998 siç ka paraqitur në dokumentet e falsifikuara.

Tv Klan