U shembën parmakët e dritares, policia nis hetimet

Ky 28-vjeçar nga Maqedonia e Veriut, me siguri s’do ta kishte çuar kurrë në mendje se hoteli luksoz që kishte paguar në zemër të Tiranës do t’i merrte jetën.

Ajdin Mustafi u rrëzua nga dritarja e dhomës së tij, pasi parmakët prej metali në të cilat ishte mbeshtetur, u shkëputën papritur. Ai ra nga kati i pestë në sheshin e parkingut të hotel Rogner.

“Ishte mbështetur duke pirë një cigare”, thanë disa deshmitarë jashtë kameras. Dikush tjetër thotë se po bënte një foto kur parmaket u shkëputen.

Kjo dritare pa parmake është vendi nga ku ai u rrëzua.

Policia po heton për shkaqet dhe një burim i bluve të Tiranës tha për Tv Klan se dyshohet që shkak është bërë cilësia e dobët e punimeve që përfshin cilësinë e materialeve apo mos-fiksimin e parmakëve siç duhet.

Hotel Rogner është ndërtuar në fillim të viteve ’90. Ai është një ndër hotelet më të vjetër të Tiranës dhe që prej ndërtimit nuk ka pësuar ndonjë rikonstruksion të objektit.

Ajdin Mustafi kishte dy ditë që kishte ardhur nga Zvicra.  Ai kishte edhe shtetësi zvicerane dhe punonte në një kompani transporti me seli në Kosovë. 28-vjeçari ishte i martuar dhe ka lënë pas 2 fëmijë të mitur.

Tv Klan