Sot është mbajtur takimi i dytë i grupit ndërparlamentar për pajtim politik. Sipas Kryeministrit Zoran Zaev, anëtarët, mes të cilëve edhe nga grupi i pavarur i deputetëve nga radhët e opozitës tashmë janë duke punuar në ligjin, me të cilin do të bëhen dallime mes veprave të disa pjesëmarrësve në ngjarjet e dhunshme në Kuvend të 27 Prillit të vitit 2017.

I ftuar në seancën e dytë të grupit ndërparlamentar për pajtim politik, Kryeministri Zaev sot ka sqaruar se ideja që e ka iniciuar, për momentin është në fazë të përgatitjes së propozim-ligjit, me të cilin sipas peshës së veprës së kryer penale do të ndahen pjesëmarrësit e dhunës në Kuvend.

“Të dy palët do ta tregojnë pjesën e pendimit, pajtimit, dhënies së dorës, përmes ligjit ku qartazi do të bëhet distinksioni i dhunës dhe pjesëmarrjes në dhunën fizike, si dhe procesi i tillë që ndodhi më 27 Prill që është jashtë organizimit dhe dhunës fizike”.

Kryeministri Zaev sërish njoftoi se qëllimi i këtij procesi është përkrahja në Parlament të proceseve për integrimin euro-atlantik, ku rol kyç pritet edhe më tej të ketë grupi prej 8 deputetëve nga grupi opozitar që vendosën të bashkëpunojnë me shumicën. Tre nëngrupet, që janë të hapur edhe për deputetë tjerë, deri të martën duhet ti japin propozimet e tyre për hapat e mëtejshëm.

“Këto tre procese janë të ndërlidhur, integrimi, reformat dhe pajtimi dhe e dimë se njëra pa tjetrën nuk do ta japin zgjidhjen përfundimtare, e kjo është të jemi në rrugën e drejtë dhe njëherë e përgjithmonë si qytetarë të ndërgjegjshëm dhe politikanë ti japim shansin venit që të lëvizë përpara”, 

thotë Emilija Aleksandrova e VMRO-DPMNE.

Ndërsa Frosina Remenski e LSDM shprehet: 

“Shpirti i pajtimit që zhvillohet mes anëtarëve të grupit ndërparlamentar janë qëllime dhe interesa strategjike, e kjo është rrumbullaksimi i procesit të ndryshimeve kushtetuese, anëtarësimi në NATO dhe procesi i fillimit të negociatave me BE-në. Padyshim se procesi primar i opinionit dhe mediave, të gjithë të interesuarve për punën në grupin është i fokusuar në ligjin për amnisti”.

Ndryshe nesër në Kuvend fillon faza e dytë e debatit për ndryshimet kushtetuese, miratimin e tekstit të katër amendamenteve kushtetuese që dalin nga Marrëveshja me Greqinë. Sipas burimeve të qeverisë është arritur marrëveshja edhe rreth kërkesave greke për disa ndryshime në Nenin 49 të Kushtetutës që ka të bëjë me diasporën.

Tv Klan