Lideri i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski në paraqitjen e tij pasi rezultatet i jepnin epërsi të madhe kundërshtarëve politikë, u shpreh i vetëdijshëm për dënimin që mori nga votuesit, por tha se shpreson që në dy javët e ardhshme gjërat mund të përmirësohen.

“Shpresoja në rezultate më të mira, por është e qartë se qytetarët na dënuan dhe këtë e pranojmë. Perspektiva evropiane e Maqedonisë pësoi një goditje të madh. Por ende nuk është vonë që të ndryshojë drejtimi. Nuk do të heqim dorë nga e ardhmja evropiane, pavarësisht se njerëzit janë të lodhur nga kjo rrugë”, tha Kovaçevski.

Rezultatet e rrethit të parë të zgjedhjeve presidenciale kishin surprizuar edhe VMRO-DPMNE-në. Paraprakisht kishin parashikuar diferencën me 100.000 vota, por jo se fitorja do të jetë 2 me 1. Në fjalimin e tij fitues, lideri Hristijan Mickoski, kishte një mesazh për BDI-në dhe Ali Ahmetin, por edhe për opozitën shqiptare.

“Para këtij fjalimi u dëgjova me opozitën shqiptare me z.Taravari dhe ia urova rezultatin duke i dëshiruar zgjedhje të suksesshme parlamentare dhe qeveri të ardhshme në Maqedoni. Në rrethin e dytë nuk duhet të lejojmë që BDI-ja të ketë sukses dhe rezultate të mira. Ju thërras që të dalim dhe të votojmë për Maqedoninë që sërish të jetë krenare dhe e juaja”, tha Mickoski.

Kreu i BDI-së Ali Ahmeti gjatë tubimit festiv në sheshin e Tetovës, bëri thirrje për mobilizim më të madh për zgjedhjet parlamentare.

“Më 8 maj e kam një porosi, si vëllau vëllait, për të gjithë ata votues aty ku rrezikohet ndonjë mandat”, tha Ali Ahmeti.

Ashtu sikurse Taravari, një nga krerët e koalicionit VLEN, Bilall Kasami, tha se janë fituesit e votës shqiptare duke pohuar se ata do të jenë fituesit e zgjedhjeve të 8 majit.

“VLEN është përfaqësuesi i vetëm legjitim i shqiptarëve në këto zgjedhje dhe në qeverinë e ardhshme. BDI edhe me këto rezultate nuk nxjerr deputetë shqiptarë”, thonë nga VLEN.

Gjatë dy javëve të ardhshme vendin e pret një periudhë mjaft interesante, pasi rezultatet e djeshme janë katalizatorë për rrethin e dytë, por edhe për epilogun e zgjedhjeve parlamentare.

Për njohësit e rrethanave politike, epilogu i rrethit të parë të zgjedhjeve presidenciale, është si rezultat se LSDM-ja si pjesë e qeverisë, në plan të parë vendosi rrugëtimin evropian dhe ndryshimet kushtetuese, duke anashkaluar çështjet tjera të rëndësishme, sikurse luftën kundër korrupsionit, luftë e cila nga qytetarët dhe raportet ndërkombëtare ishte vlerësuar si problemi më i madh./tvklan.mk