Një tjetër film biografik do të realizohet për Nënë Terezën, këtë herë nga Bollywood. Projekti do të ketë një kast aktorësh indianë por dhe ndërkombëtarë, i cili do të publikohet në vitin 2020.

Regjisorja indiane Seema Upadhyay, mësohet e ka marrë leje tek një nga motrat që kishte qenë më pranë Nënë Terezës, për realizimin e filmit biografik. Të gjithë do të kenë mundësinë të shohin edhe njëherë fisnikërinë dhe bamirësinë e një prej figurave më të njohura ndërkombëtare.

Prodhuesit e filmit janë shprehur tepër të emocionuar pasi kanë mundësinë të përcjellin përsëri mesazhet e dhëna nga Nënë Tereza, që pushtuan botën.

Humanistja e njohur shqiptare lindi në Shkup më 26 Gusht 1910 dhe vdiq më 5 Shtator 1997 në Kalkutë, Indi. Emri i saj ishte Anjezë Gonxhe Bojaxhiu. Nënë Tereza fitoi çmimin “Nobel” për Paqen, ndërsa më 19 tetor 2003 u shpall e bekuar nga Vatikani kurse më 5 shtator 2016 u bë shenjtore.

 Klan Plus