Hakan Çalhanoglu e ka lënë pas dëmtimin dhe është gati për trajnerin Simone Inzagi. Mesfushori turk ka përfunduar stërvitjen e personalizuar dhe do të rikthehet në stërvitje me grupin. Tekniku i Interit ka në dispozicion të gjithë lojtarët për 2 transfertat më të rëndësishme të sezonit ndaj Bolonjës në Serie A dhe kundër Atletiko Madrid në Ligën e Kampioneve.

Por te zikaltrit i marrin gjërat me qetësi! Nën drejtimin e Çalhanoglu është rritur edhe Kristjan Asllani. Lojtari kuqezi ka treguar se është i denjë për Interin dhe në skuadër nuk është ndjerë mungesa e turkut.

Sipas gazetës sportive italiane Tuttosport, gjasat janë shumë të mëdha që Çalhanoglu të jetë në stol ndaj Bolonjës, e Inzagi t’i besojë sërish Asllanit. Synimi i stafit mjekësor është që turku të rikthehet në formën optimale, për ndeshjen e kthimit në Madrid ndaj Atleticos.

Në kampionat është sërish radha e Asllanit që të udhëheqë lojën e zikaltërve në sfidën e 9 marsit. Një tjetër test për mesfushorin kuqezi që ka treguar rritje në lojë nga ndeshja në ndeshje. Në sfidën e kaluar në Serie A, ai gjeti golin e parë me fanellën zikaltër pas 53 takimesh.

Klan News