Shumë prej të mbijetuarve shprehen se aksidente të ngjashme mund të përsëriten për shkak të sigurisë së dobët

28 Shkurt 2023 do të mbetet në memorien e secilit. Një përplasje mes dy trenave në jug të Luginës së Tempit në Greqi do të ishte fatale për mbi 342 pasagjerë.

57 prej tyre humbën jetën përfshirë edhe 6 shtetas shqiptarë dhe dhjetra të tjerë u plagosën rëndë. Treni i pasagjerëve i mbushur me studentë u përplas kokë më kokë me një tren mallrash pranë Larisës, në një linjë që lidh Athinën me qytetin e dytë të Greqisë, Selanikun.

Disa faktorë kontribuan në aksident, duke përfshirë dështimin e zbatimit të Sistemit Evropian të Kontrollit të Trenit (ETCS). Kjo përplasje shënoi një kulm tragjik pas një sërë incidentesh të tjera hekurudhore që fatmirësisht nuk patën viktima. Stacionisti tashmë i burgosur si dhe dy persona të tjerë rëndojnë akuzat për prishje të sigurisë së transportit, e cila është vepër penale me dënime nga dhjetë vjet deri në burgim të përjetshëm, si dhe për veprat e vrasjes nga pakujdesia.

Megjithatë, një vit më vonë, ekspertët dhe zyrtarët hekurudhor thonë se është bërë pak për të përmirësuar ndjeshëm sigurinë e trenave, pavarësisht nga provat në rritje që mangësitë e sistemit çuan në shkaktimin e aksidentit.

Qeveria premtoi të rregullonte një sistem të rrënuar nga neglizhenca e dekadave. Të mbijetuarit dhe të afërmit ende duan përgjigje.

Të mbijetuarit shprehen se po vuajnë nga stresi post-traumatik dhe po luftojnë me makthet e tmerrshme. Një vit më vonë, ata ende po përjetojnë të njëjtin stres. E mbijetuara e aksidentit, Stavroula Kapsali tregon se gjithçka ka ndryshuar në jetën e saj. Ajo nuk mund të flejë dhe është vazhdimisht e frikësuar. Ajo nuk ka hypur në trena që nga përplasja, nga frika se ata nuk janë të sigurt.

“Pas aksidentit pothuajse gjithçka ka ndryshuar. Çfarë mund të them, për mua jeta ka marr fund, njerëzit që doja kanë vdekur i kam parë trupat e tyre atje.Nuk kam hyrë më në tren dhe nuk do të ndodhë. Si mund të mos i kushtoni vëmendje sistemeve që do të ofrojnë sigurinë e pasagjerëve?”

Maria Karistianou, e cila humbi vajzën e saj 20-vjeçare në katastrofë, thotë se politikanët duhet të marrin përgjegjësinë për përplasjen tragjike. Deri më tani, rreth 800,000 njerëz kanë nënshkruar një peticion për të hequr ligjet që mbrojnë ministrat nga ndjekja penale.

“Një vit më vonë ne mbetemi spektatorë të një shfaqjeje tragjike. Ata tallen me drejtësinë, ku përgjegjësit janë ende të lirë. Kështu shteti vazhdon gjatë gjithë kësaj kohe të luajë me dhimbjen tonë, me zinë tonë.”

Ministria greke e transportit po zbaton një plan gjithëpërfshirës për të rinovuar hekurudhën dhe se ka pasur përparim të rëndësishëm në përmirësimin e sigurisë hekurudhore, pavarësisht dëmeve të shumta të shkaktuara nga përmbytjet në shtator.

Situata shqetëson ekspertët që thonë se rrjeti hekurudhor i Greqisë është i prirur për aksidente të ardhshme nëse nuk përmirësohet siguria. Kostas Lakafossis, një hetues aksidentesh shprehet se sistemi hekurudhor nuk është ende në një gjendje më të mirë sot.

“Për ne, suksesi i sipërmarrjes është që hekurudha të jetë më e sigurt se më parë, nëse kjo është e mundur. Natyrisht që nuk mjafton ta themi, dikush duhet ta dëgjojë këtë. Por sot hekurudhat nuk janë aq të sigurta sa do t’i dëshironim.  Nuk di çfarë t’u them prindërve të viktimave që po përballen me këtë ankth të jashtëzakonshëm mendor, por edhe sot e kësaj dite ata ende presin përgjigje. Hetimet u zgjatëm shumë. Le të jetë ky një mësim, kështu që herën tjetër do ta trajtojmë në një mënyrë tjetër.”

Panagiotis Terezakis, kreu i Organizatës Helenike Hekurudhore (OSE) që operon rrjetin hekurudhor, thotë se është i sigurt. OSE kishte instaluar 300 kamera infra të kuqe në tunele që nga përplasja dhe kishte bërë përparim në instalimin e sistemeve të sigurisë. Megjithatë, ai pranoi se duhet bërë më shumë.

Qeveria urdhëroi një hetim i cili zbuloi se përplasja mund të ishte shmangur nëse do të ishin vendosur dy sisteme kryesore: ETCS, i cili mund të kontrollojë nga distanca shpejtësinë e një treni dhe frenat e tij; dhe GSM-R, një rrjet pa tel që lejon komunikimin ndërmjet drejtuesve të stacionit, drejtuesve të trenave dhe kontrollorëve të trafikut. GSM-R ende nuk është aktivizuar në të gjithë trenat.

“Sistemi i drejtësisë vlerëson të gjitha të dhënat dhe të gjitha aspektet e çdo rasti, veçanërisht një rast që pati këtë përfundim tragjik, një aksident tragjik që u kushtoi jetën 57 personave. Ajo që mund t’ju them nga pikëpamja politike është se deri tani askush nuk është gjetur të provojë me prova dhe jo duke hedhur baltë – se qeveria veproi për të fshehur dobësitë, për të mbuluar faktet, kjo nuk ka ndodhur.”

Sistemi ETCS është instaluar nëpër shina hekurudhore, pas një vonese nëntëvjeçare, por nuk është funksionale pasi nuk është shtuar tek trenat që janë në pritje të certifikimit.

Përmbytjet më vonë dëmtuan sistemet në një seksion 90 km në të njëjtën rrugë Athinë-Selanik. Kostoja e restaurimit të tij vlerësohet në 450 milionë euro nga qeveria. Agjencia e BE-së për Hekurudhat përfundoi një vlerësim të sigurisë vitin e kaluar duke argumentuar  se rregulloret e BE-së nuk ishin zbatuar siç duhet në Greqi, ndërsa financimi i pamjaftueshëm kishin ngadalësuar ndryshimin.

Klan News