Banorët në Tiranë nuk respektojnë masat mbrojtëse

Teksa rastet me koronavirus shtohet çdo ditë në të gjithë vendin, kryeqytetasit vijojnë të mbeten të pashqetësuar. Të paktë janë ata që mbajnë maska. Lokalet në zonën e “Nëntë katesheve” dhe “Pazarit të Ri” janë të mbipopulluara, ku njerëzit nuk ruajnë distancën deri në 2 metër nga tavolina në tavolinë, si dhe qëndrojnë të ulur me grupe njerëzish.

Një situatë e tillë vjen në një kohë kur Ministria e Shëndetësisë vijon t’u bëjë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes me distancimin dhe përdorimin e maskave. Të moshuarit ata që janë edhe më të rrezikuar nga Covid-19, vijojnë të qëndrojnë bashkë duke luajtur domino.

Situata paraqitet problematike edhe në banka ku ka edhe grumbullime njerëzish pasi hyrja bëhet vetëm me 1 person për të ruajtur distancën me të tjerët. Po ashtu edhe në stacionet e autobusëve, të cilët filluan nga puna dy ditë më parë, ka nga ata qytetarë, të cilët respektojnë rregullat anti-Covid 19 teksa mbajnë maska. Ka edhe si këta qytetarë që janë indiferentë ndaj koronavirusit, të cilit nuk i tremben aspak.

Klan Plus