“Nuk pranoj as leksione, as opinione dhe as pyetje nga ata që që kur kanë pasur mundësi që të mbrojnë interesin publik, dihet se çfarë i kanë bërë Shqipërisë”, kështu i është përgjigjur kryeministri i vendit, Edi Rama deklaratës së kreut të grupit demokrat, Gazment Bardhi, i cili ka thënë mbrëmë në “Opinion” se çdo investim duhet të jetë me garë.

I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan përballë gazetarit Blendi Fevziu, kryeministri Rama ka thënë se projekti për ishullin e Sazanit projektuar nga grupi i përfaqësuar nga dhëndri i ish-Presidentit amerikan Donald Trump do ta kthejë këtë zonë në xhevahirin e turizmit në Mesdhe.

Blendi Fevziu: Kisha dje Gazment Bardhin që dje ka bërë këtë deklaratë për Sazanin: Nëse është një investim që i shërben interesit publik, është i mirëpritur, ne mbështesim çdo investitor të huaj, por kur bëhet fjalë për një pronë që është e qytetarëve shqiptarë, çdo investim i huaj duhet të jetë me garë.

Edi Rama: Investitorët nuk vijnë për interes publik, por për të tyrin, interesin publik e mbron qeveria si palë dhe unë nuk pranoj as leksione, as opinione dhe as pyetje nga ata që kur kanë pasur mundësi që të mbrojnë interesin publik, dihet se çfarë i kanë bërë Shqipërisë. Të mbrosh interesin publik do të thotë jo vetëm të respektosh kushtetutën dhe ligjin, por të negociosh në emër të atyre që përfaqëson. Ndryshe nga se ndodhte përpara, ku thuhej Shqipëria 1 Euro, një formulë që funksionon nëse mbron interesin e publikut dhe nga ana tjetër çfarë është bërë me 1 Euro, katastrofë që bie ndesh me interesin e publikut.

Blendi Fevziu: Ka zëra që ju po e jepni këtë koncension për të rindërtuar një raport me ish-Presidentin Trump, të cilin e keni quajtur turpi i njerëzimit 8 vjet më parë.

Edi Rama: Unë kam një të mirë që është edhe e keqe, unë them atë që mendoj dhe mendoj atë që them. Kam thënë atë që kam menduar në atë kohë kur presidenti amerikan u bë president, të gjithë këta festuan sepse menduan që ne nuk e heqim dot atë, por do na e heqi ai atje. Ngjarjet rodhën ndryshe. Unë nuk kam raport për të rindërtuar me ish-presidentin Trump sepse raportet me të i kam pasur shumë të mira dhe nuk kam asnjë arsye për të rindërtuar një raport me të./tvklan.al