Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, ka bërë publike këtë të mërkurë numrat në dispozicion të qytetarëve për të koordinuar ndihmën, por edhe për t’ju adresuar në pikat e posaçme që po ngrihen në të gjitha qytetet kryesore.

“E kuptojmë dhe i falënderojmë të gjithë ata aktorë që nisur nga dëshira e mirë, nga dëshira për të bërë diҫka për bashkëqytetarët e tyre në këto orë dramatike, kanë bërë një punë të jashtëzakonshme për të mbledhur ndihma e donacione. Por që këto ndihma te shkojnë në destinacionin e duhur, tu shkojnë me nevojtareve, që të ketë një prioritizim të nevojave sipas situatës në terren, në fshatra, qytete, lagje apo familje të ndryshme, është e domosdoshme që ato të kanalizohen përmes Shtabeve të Emergjencës ngritur pranë prefekturave dhe Emergjencave Civile. Pavarësisht dëshirës së mirë, rrëmuja dhe konfuzioni, në këto momente jo vetëm që nuk ndihmojnë dhe nuk kanë impaktin e dëshiruar, por rrezikojnë të kenë efektin e kundërt. Prandaj, ҫdokush që dëshiron të kontribuojë është i ftuar që ta kanalizojë donacionin përmes Rezervave të Shtetit dhe Komandës Mbështetëse të Forcave të Armatosura, përmes numrave të mëposhtëm:

04 22 22 223

04 22 28 250

dhe 0688046664”, tha ministrja.

Ajo iu drejtua të gjithë qytetarëve, shoqatave dhe bizneseve që duan të ndihmojnë qytetarët e prekur nga tërmeti t’i drejtohen këtyre numrave.

“Por këto ditë tensioni e ankthi, kanë qenë po ashtu ditë të një solidariteti e bujarie të jashtëzakonshme. Sado e madhe fuqia e natyrës, solidariteti i shqiptarëve dhe partnerëve tanë ka qenë akoma më e madhe. Është një ndihmë që ka një vlerë shumë më të madhe sesa thjesht vlerat monetare apo materiale që po dhurohen, sepse mbi të gjitha është një solidaritet që jep shpresë e besim. Ҫdo qytetar duhet ta dijë që nuk është vetëm e nuk do të lihet vetëm. Aktualisht, përveҫ ndihmës që ka vërshuar nga qytetarë shqiptarë nga ҫdo anë e Shqipërisë, Kosovës dhe botës, kemi pasur një solidaritet të jashtëzakonshëm edhe nga partnerët, nga shtete të ndryshme përmes marrëdhënieve tona dypalëshe, dhe po punojmë për të aktivizuar mekanizmin e mbrojtjes civile të Bashkimit Europian dhe NATO, ҫka do të ishte një ndihmë e madhe në menaxhimin e pasojave të tërmetit. Thirrja ime ju drejtohet të gjithë qytetarëve, shoqatave e bizneseve, që duan të ndihmojnë. Vërshimi i ndihmave, donacioneve e dhuratave, ofertave për ndihmë e punë vullnetare është aq e madhe saqë në këtë moment bëhet e domosdoshme që kjo ndihmë të koordinohet e të organizohet për të qenë sa më efikase”, deklaroi ministrja.

“Në këto momente, ne kemi nevojë për ҫdo ndihmë që mund të na jepet. Sot, kemi nevojë për logjistikë, strehim, ushqime e veshmbathje.  Por nevoja reale, sfida e vërtetë do të jetë ajo e rindërtimit. E di nga informacioni e komunikimet e shumta që kam pasur, që ka shumë biznese, sidomos ato të ndërtimit apo studiot inxhinierike e të arkitekturës, dhe shumë biznese të mëdha e të suksesshme, që duan të ndihmojnë në këtë fazë të dytë të përballimit të pasojave të tërmetit.

I falënderoj të gjithë dhe i ftoj edhe njëherë të kontaktojnë në numrat 04 22 22 223, 04 22 28 250 dhe 0688046664 Kërkesa jonë për ta në këtë moment, kur është e pamundur që të përdorim ndihmën që ata ofrojnë, është që të depozitojnë pranë shtabeve tona angazhimet e tyre në formën e kontratave te premtimit të detajuara me donacionet e ofruara, në mënyrë që edhe ne të mund të katalogojmë, listojmë dhe organizojmë këtë ndihmë kaq jetike për ҫdo familje të prekur nga kjo tragjedi e rëndë. Është shumë e rëndësishme, që kushdo dëshiron realisht të ndihmojë, të dëgjojë e t’i bashkohet kësaj thirrje që do të na lejojë të përdorim me efikasitet e impakt maksimal dhe transparencë të plotë ҫdo qindarkë që do të mblidhet si rezultat i kësaj fryme të jashtëzakonshëm solidariteti”, tha më tej ministrja.

Aktualisht, janë mbi 100 qytetarë që po transferohem, nga stadiumi “NikoDovana”në Durrës drejt këtyre strukturave hoteliere, por, në total janë në dispozicion 1500 shtretër për të gjithë ata banorë që janë për tu zhvendosur./tvklan.al