Ngjarja, në fshatin Burrim të Dibrës

Një ngjarje e rëndë është shënuar mbrëmjen e së shtunës në fshatin Burrim të Maqellarës në Qarkun e Dibrës ku nusja ka vrarë me thikë vjehrrën e saj. Ngjarja ndodhi rreth orës 23:30 minuta të së shtunës dhe sipas policisë autore e këtij krimi është 44-vjeçarja Miranda Markja ndërsa viktimë ka mbetur 74-vjeçarja Naile Markja.

Policia vuri në pranga 44-vjeçaren, ndërsa mësohet se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti të çastit, ku fillimisht nusja ka marrë thikën dhe ia ka vënë në fyt vjehrrës, duke e prerë dhe me pas i ka ngulur thikën në bark dhe kraharor.

Të afërmit e familjes Markja tregojnë se fillimisht mësuan se e moshuara kishte humbur jetën për shkaqe natyrore.

“E dimë që ka qenë sëmurë ajo, ka qenë e dobët, me astmë”, tha një i afërm.

Gruaja ka pranuar para uniformave blu krimin, ndërsa si shpjegim për vrasjen e vjehrrës ka dhënë debatet e vazhdueshme që çuan deri në konfliktin e fundit. 44-vjeçarja dhe vjehrra 74 vjeçe e saj jetonin vetëm në shtëpi, pasi bashkëshorti dhe dy djemtë e autores jetonin jashtë vendit.

Tv Klan