Në zonat e gjelbra dhe më pak nxënës, mësimi në shkollë

Për shkak të situatës së rënduar nga Covid-19 tashmë edhe shkollat prej 1 Dhjetorit do të zhvillojnë mësim online edhe me prezencë fizike.

“Klasat e arsimit fillor, nga e para në të pestën, dhe klasa e 12-të (pra maturantët) do të zhvillojnë normalisht procesin mësimor në mjediset fizike të shkollës – njësoj siç kanë vepruar deri më tani me Skenarin 1 të Udhëzuesit për fillimin e vitit shkollor 2020 – 2021”, tha ministrja e Arsimit, Evis Kushi.

Në Ministrinë e Arsimit thonë se nxënësit do të qëndrojnë dy ose tre ditë në shtëpi dhe pjesën tjetër do të zhvillojnë mësim në bankat e shkollës.

“Ndërsa klasat nga e 6 në të 9, si dhe klasat 10 dhe 11 do të zhvillojnë mësimin në këtë mënyrë: Në javën tek, pra javën e parë dhe të tretë të muajit: 2 ditët e para të javës në mjediset e shkollës dhe 3 ditët e tjera të javës online. Në javën çift, pra në javën e dytë dhe të katërt, ditët këmbehen: pra 2 ditët e para të javës nxënësit janë online dhe 3 ditët e tjera të javës me prezencë fizike në shkollë”, tha ministrja.

Në shkollat ku zhvillohet mësim vetëm me një turn, orët do të vijojnë të jenë 30 minuta. Klasat do të jenë të ndara në dy grupe për të ruajtur distancën fizike mes nxënësve.

Ndërsa në shkollat me dy turne dhe me numër të madh nxënësish do të vijojnë të zhvillojnë mësim me 4 nënturne. Orët do të jenë 25 minuta dhe mësimi do të zhvillohet me dy orë të njëpasnjëshme.

Po ashtu në zonat e gjelbra në shkolla të cilat kanë pak nxënës, mësimi do të zhvillohet në bankat e shkollës.

Nëse situata nga pandemia bëhet më kritike, atëherë klasat fillore (nga 1 tek e 5) dhe maturantët zhvillojnë mësimin në klasë. Ndërsa klasat e tjera kalojnë online. Dhe në raste më të rënduara, vetëm klasa 1 dhe klasa 12-të në mjediset fizike të shkollës, ndërsa të gjitha klasat e tjera do të zhvillojnë mësimin online.

Tv Klan