Që nga dita e sotme marrin fund radhët dhe orët e pritjes përballë zyrave të OASH-së, në Policinë Rrugore. Drejtuesit e mjeteve, të konstatuar me shkelje gjatë qarkullimit rrugor, mund t’i paraqesin pretendimet apo dokumentacionin online, përmes portalit qeveritar e-albania.

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu dhe drejtues të Policisë së Shtetit inspektuan nga afër punën e OASH, në Komisariatin e Policisë Rrugore Tiranë.

Në një prononcim për mediat, Ministri Lleshaj tha se “qëllimi i kësaj mase është që të eliminojmë detyrimin e qytetarëve për t’u paraqitur në zyra. Nga sot qytetarët, – ata që kanë bërë shkelje të rregullave të qarkullimit, – kanë të drejtën që të gjithë dokumentacionin që duan t’i paraqesin OASH-së, t’ia paraqesin online, përmes e-albania, dhe të kursejnë ardhjen, pritjen dhe humbjen e kohës pranë këtyre zyrave”.

“Me këtë hap, ne, së pari bëjmë një shërbim për qytetarët, së dyti eliminojmë edhe një mundësi kontakti të drejtpërdrejtë të qytetarëve me komisionet përkatëse. Në mënyrë që të evitojmë të gjitha risqet e mundshme, që kanë gjasa të zhvillohen në këto situata. Lehtësimi i shërbimeve për qytetarët në të njëjtën kohë është edhe një lloj shtrëngese për ata që shkelin rregullat për arsye se tashmë mundësi e kontaktit bëhet zero. Pra, nuk kanë mundësi të ‘negociojnë’ me asnjë lloj Komisioni. Kështu që kjo thirrje le të vlejë për të gjithë qytetarët që të sensibilizohen për të shtuar kujdesin në qarkullim”, tha Lleshaj./tvklan.al