Barak Obama vizitoi përkujtimoren e viktimave të Luftës së Dytë Botërore në Hiroshima, duke u bërë Presidenti i parë amerikan në detyrë, që viziton vendin ku u hodh bomba e parë atomike në vitin 1945.

Obama tha se prania e tij në Memorialin e Paqes në Hiroshima, është një dëshmi se edhe ndasitë më të mëdha mund të hidhen pas krahëve dhe vende ish – armike mund jo vetëm të bëhen partnerë, por edhe dy “miq të ngushtë”.

I ndodhur në Japoni ku mori pjesë në takimin e vendeve të G7, presidenti amerikan nënvizoi faktin se miqësia mes dy vendeve është një rast për të afirmuar paqen dhe sigurinë në një botë ku armët bërthamore nuk janë më të nevojshme.

Nga ana tjetër, shefi i Shtëpisë së Bardhë nuk kërkoi falje për sulmin bërthamor, që çoi në kapitullimin e Japonisë në Luftën e Dytë Botërore.

Qëndrimi i amerikanëve është se hedhja e dy bombave, edhe pse lanë pasoja shkatërruese, ishte një veprim i drejtë pasi i dha fund luftës.

Të paktën 140 mijë persona humbën jetën, si pasojë e bombës atomike në Hiroshima, më 6 Gusht 1945. Dy ditë më pas një tjetër bombë, e hedhur në Nagasaki, vrau 74 mijë të tjerë.

Tv Klan