Provë e rëndësishme e luftës kundër krimit të organizuar

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj përshëndeti operacionin policor “Mezhgorani”, të shtrirë nëpër disa qytete të vendit, ku u arrestuan 35 persona.

“Policia dhe Prokuroria dhanë sot një tjetër provë të rëndësishme të seriozitetit në luftën e përbashkët kundër krimit të organizuar. Reforma në Drejtësi po sjell përditë rezultate. Droga dhe krimi nuk mund të kenë vend tek ne. Përgëzime për punën e Policisë dhe Prokurorisë“, shkruan Lleshaj në një postim në Twitter.

Më herët në një konferencë për shtyp, kreu i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu tha se hetimet për operacionin në fjalë zgjatën 6 muaj dhe se ato nisën në 2019-n, për akuzën e falsifikimit të kartëmonedhave.

Përveç të arrestuarve, 6 persona janë shpallur në kërkim, ndërsa 12 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë.

Mbi të gjithë këta persona rëndojnë disa akuza, si “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” ‘’Falsifikimi i kartëmonedhave”, “Mbajtja pa leje e armëve të zjarrit dhe lëndëve plasëse”, “Organizimi i lotarive të palejuara”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, “Fshehja e të ardhurave”, “Mashtrimi” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”./tvklan.al