Blendi Fevziu: “Ajo që më bën përshtypje është që si shumë histori të tjera po kthehet në një debat shterpë, po kthehet në një debat i cili merret gjithmnë me detajet dhe jo me thelbin. Besoj që kemi të bëjmë me një histori mjaft të rëndësishme për arsye se vihet në pikëpyetje siguria kombëtare, ngrihen pikëpyetje mbi një problem i cili mund të rishikojë marrëdhëniet, jo vetëm brenda politikës shqiptare, por edhe me partnerët ndërkombëtarë, kështu që besoj se në këtë aspekt duhet të ketë një sërë hapash. E para, kryeministri duhet të deklarojë nëse është apo nuk është i vërtetë thelbi i bisedës, pavarsisht se kur mund të jetë regjistruar, pavarsisht nëse ka ose jo shtesa në të, pra është apo s’është i vërtetë thelbi i beisedës duhet të prononocohet direkt kryeministri dhe institucionet e tjera të ngarkuara me këtë punë, qoftë Shërbimi Informativ Shtetëror, qoftë Prokuroria në mënyrë urgjente duhet të fillojnë një hetim intensiv për të dhënë përgjigje nëse është apo nuk është e saktë. Pastaj se ç’hapa do të merren nëse është e vërtetë, cilat do të jenë pasojat, nëse nuk është e vërtetë cilat do të jenë ato që do të lindin është një problem tjetër, por jemi në një moment të tillë që duhet të vërtetojmë dhe të marrim një përgjigje të menjëhershme se çfarë është kjo bisedë, sa reale është, pra thelbi i saj nuk po flas për të gjithë bisedën dhe ka ndodhur apo nuk ka ndodhur një bisedë e tillë. Vetëm pasi të sqarohet kjo mund të shikohen hapat e tjerë.”

Ardian Klosi: “Janë deklarata tepër të rënda dhe kërkojnë që të gjendet e drejta, të vendoset drejtësia. Në qoftë se janë të vërteta ato dialogje që u lexuan të Nanos, patjetër janë skandaloze, janë të turpshme për një kryeministër, është një gjuhë që e pakta mund të quhet gjuhë rrugaçe dhe patjetër që duhet të japë dorëheqjen kryeministri. Në qoftë se flasim për drejtësi dhe drejtësisë i duhet shkuar deri në fund, atëherë duhet të dënohet politikani që ka bërë deklarata dhe shpifje kaq të rënda dhe duhet t’i hiqet imuniteti me të vërtetë kësaj here, por duhet të dënohen dhe njerëzit që bëjnë pazare me dokumentet sekrete të shtetit në rast se këto janë të vërteta, sepse kemi një situatë të tillë, prokuroria nuk vepron te ne, gjykatat nuk veprojnë dhe ç’bëjnë këta zotërinj, qoftë dhe të Shërbimit Informativ, shesin dokumente lart e poshtë.” /tvklan.al