Gjykata ka rrëzuar kërkesën e Skënder Vathit për masë më të butë sigurie

Skënder Vathi i akuzuar si organizator i vrasjes së Behar Sofias, ngjarje e ndodhur më 25 Shkurt në zemër të Tiranës ka kërkuar lirinë në Gjykatën e Apelit. Togat e zeza kanë vendosur që ta lënë në qeli Vathin deri në përfundim të hetimeve. 

Ai kërkoi nga Apeli ndryshim të masës së sigurisë nga “arrest në burg” në masë më të butë, por gjykata nuk ia pranoi ankimin. Vathi nuk e ka pranuar në asnjë moment akuzën e ngritur nga prokuroria.

Ndërkohë, tre të dyshuarit e tjerë Leonard Xhixha, Xhuliano Visha dhe Ernejt Shyti nuk kanë bërë ankim të masë së sigurisë, në gjykatën e Apelit.

Burime nga prokuroria e kryeqytetit thonë që deri më tani nuk ka persona të tjerë të shpallur në kërkim për këtë ngjarje, edhe pse janë verifikuar disa persona por nuk kanë rezultuar të përfshirë.

Ngjarja u zbulua nga kamerat e sigurisë së zonës që filmuan Ernejt Shytin duke e ndjekur nga pas 66-vjeçarin deri në momentin e ekzekutimit. 24-vjeçari u largua me biçikletë dhe hodhi në një shkurre tek kodrat e liqenit rrobat dhe një celualar që kishte numrat e 3 të arrestarve të tjerë. Nga dëshmia e Ernejt Shytit u zblulan dhe bashkëpuntorët e tij.

Grupi i hetimit ka dyshime që pas ngjarjes fshihet një grup i fuqishëm kriminal që vepron në Shqipërinë e mesme. Behar Sofia ishte një personazh me shumë dritëhije dhe ruante një profil shumë të ulët publik, por ishte shumë i njohur në botën e krimit.

Hetuesit ende nuk e kanë gjetur armën tip TT me silenciator që Ernejt Shyti thotë se e ka hedhur në lumin Lana. Ndërkohë akoma nuk është vendosur nëse dosja do të kalojë për hetime të mëtejshme në SPAK.

Klan News