Kuotat  gjinore shihen nga Blerina Gjylameti si një mundësi e mirë për të pasur më shumë gra e vajza në parlament. Gjatë bisedës me “Aldo Morning Shoë” për të ndarë mendimin e saj nëse janë diskriminim apo barazi, deputetja tha se kuotat kanë bërë një kapërcim cilësor që politika mos të jetë e drejtuar kryesisht nga burrat. Sipas saj, pa kuotat parlamenti nuk do të kishte numrin aktual të vajzave e grave.

Blerina Gjylameti: Para se t’i hyja politikës kur dëgjoja për kuotat mendoja që ishte diskriminim, nuk ishte barazi dhe mbi të gjitha nuk ishte mundësi që vajzat dhe gratë të ishin në politikë por kur flasim për kuotë është e njëjta gjë edhe për gjininë tjetër, për burrat nëse nuk do të ishin të përfaqësuar siç duhet. E thënë nga jashtë duket diskriminim se thua përse grave duhet t’u vendosim një kuotë  për të qenë pjesë? Më pas kur hyn, e lexon, studion mbi fushën kupton  që ka qenë një nga mundësitë më të mira për të patur sa më shumë vajza dhe gra në parlament që të kenë zë edhe për ato që nuk kanë në Shqipëri. Duket pakëz utopi kur thua ato që kanë zë sesi do të funksiojnë, si mundet të japin ato më të mirën e tyre dhe pse duhet të jenë me numër dhe pse mos të jetë e hapur dhe e lirë? Politika, sidomos në Shqipëri është domain i burrave, ka qenë ndër vite dhe vendosja e kuotave ka qenë një nga hapat që ka bërë kapërcimin cilësor, jo vetëm sasior se këtë desha të them dhe kur unë për veten time kam hyrë në politikë për pjesën e kuotës thosha unë nuk dua të hyj nëpërmjet kuotës, dua të hyj si dikush që vlerësohet për çfarë je. Por është e vështirë nëse nuk do të kishim kuotat, të jeni të bindur që parlamenti nuk do të kishte as atë numër, por as atë cilësi që ka te vajzat dhe gratë sepse është thyer ajo tabuja dhe janë hequr kufizimet që ka patur.

Gjylameti shton se kuotat kanë dhënë mundësinë e hapësirës dhe platformës së njëjtë që secili të tregojë veten. Megjithatë, ajo është kundër mendimit se një grua duhet të gëzojë një pozicion vetëm për shkak të barazisë gjinore.

Blerina Gjylameti: Tani të bëj edhe një vetëkritikë. Unë nuk mendoj që një grua vetëm sepse është grua duhet të jetë diku. Shpeshherë ne e pretendojmë edhe këtë, meqenëse jam grua duhet të jem. Edhe këtë nuk mendoj. Do të duhet, jo të justifikojmë, por të tregojmë që jemi njëlloj të barabartë në çdo gjë, pavarësisht se ka punë që nuk i bëjmë dot ne gratë apo ka punë që nuk i bëjnë dot burrat, sado që duam barazinë perfekte./tvklan.al