Kryeministri Rama është i bindur se më shumë se reale, shifrat e papunësisë janë një perceptim për të cilin kanë ndikuar dhe raportimet jo objektive të mediave. Pasi vizitoi Panairin e Punës në Elbasan, ku është vendosur këtë të shtunë sëbashku me një pjesë të kabinetit qeveritar si pjesë e fushatës së llogaridhënies, Rama flet me shifra për çka është arritur dhe cilat janë objektivat sa i takon punësimit në plan kombëtar dhe atë lokal, në këtë qark.

“1.567 vende të lira pune janë të vetëm këtu, sot që flasim, të kategorive e profileve të shumëllojshme. Nga zyrat e Punës në Elbasan janë punësuar për këtë vit 400 persona dhe mbi 500 janë dërguar për formim profesional. Ne kemi kaluar në 10.300 të punësuar dhe besojmë shumë se do ta tejkalojmë objektivin e vitit, për 25 mijë të punësuar vetëm nga Zyrat e Punës.

Më pas, në një bashkëbisedim me banorët e Cërrikut, Kryeministri këmbëngul që qytetarët për çdo problem që hasin në sportelet e administratës publike ta denoncojnë në portalin e bashkëqeverisjes.

Ai premton investime në të gjithë qarkun dhe garanton se do të jenë me standarde dhe këtu krahasimin e bën me paraardhësit dhe rrugën e Tiranë-Elbasan, si shembullin më të keq për cilësinë dhe shpërdorimin e fondeve publike.

Në një drekë me fermerët dhe sipërmarrës në një bujtinë në Blesh, Rama këmbëngul që sytë t’i kthejnë tek agroturizmi si mundësia e artë për të rritur të ardhurat e tyre familjare dhe të zonës ku investohet.

Tv Klan