Fillimisht do injektohen vetëm 90-vjeçarët

Të moshuarit mbi 80 vjeç iu drejtuan këtë të hënë qendrave të vaksinimit nëpër rrethe, por një pjesë e tyre u larguan nga aty pa e marrë dozën e vaksinës antiCovid.

Shkak për këtë situatë në Vlorë dhe në Shkodër është bërë paqartësia që ka krijuar kriteri i moshës, pasi fillimisht vaksina do të injektohet vetëm për personat mbi 90 vjeç.

Të moshuarit në Shkodër pritën në radhë pas rekomandimit të marrë nga mjekët e familjës. Të paqartë për situatën, atyre iu është komunikuar se personat nën moshën 90 vjeç do të vaksinohen në ditët në vazhdim.

Qytetari 1: Na thane për moshën mbi 90 vjeç. Unë jam 83 vjeç…

Qytetari 2: Është e treta here sot që kam ardhur dhe nuk japin asnjë përgjigje. As kur do të vijmë, asgjë.

Qytetari 3: E bëra vaksinën. Jam 91 vjeç.

Një situatë e ngjashme u pa edhe në qendrën e vaksinimit në Vlorë. Të moshuaritpritën për të marrë vaksinën derisa u bë verifikimi i moshës së tyre. Ata e konsideruan të padrejtë  këtë kriter.

Qytetari 1: Ata thanë mbi 80 vjeç. Unë jam 82. Pse të mos e bëj?

Qytetarja 2: Na lajmëroi doktori i lagjes. Kemi treçerek ore që po presim.

Ndërkohë që nga njësia vendore e Kujdesit Shëndetësor në Vlorë është bërë me dije se është parashikuar të vaksinohen 100 persona mbi moshën 90 vjeç, e më pas do të ndiqen listat e hartuara nga qendrat shëndetësore për 80 vjeçarët.

Në Korçë ishte dita e tretë e vaksinimit për bluzat e bardha. 350 mjekë dhe infermierë të spitalit të qytetit morën dozën e parë të vaksinës antiCovid. Pas tyre procesi do të shtrihet ne spitalet e tjera të qarkut.

Me vaksinimin e plotë të personelit shëndetësor, edhe në Korçë procesi do të shtrihet tek të moshuarit, sipas një plani pune që po hartohet nga ekipet e Shëndetit Publik.

Tv Klan