Drejtori i Përgjithshëm i “Singapore Airlines”, Goh Choon Phong u ka kërkuar falje të gjithë të prekurve nga fluturimin Londër-Singapor, gjatë së cilit kishte turbulenca të forta. Si pasojë e incidentit ajror, ka humbur jetën 73-vjeçari, i identifikuar si Geoff Kitchen, i cili dyshohet se ndërroi jetë si pasojë e atakut në zemër.

“Ne jemi shumë të pikëlluar nga ky incident,” tha Goh në një video të postuar në mediat sociale.

Ai gjithashtu shprehu ngushëllimet e tij më të thella për familjen dhe të dashurit e Geoff Kitchen, britanikut që vdiq gjatë incidentit.

“Na vjen shumë keq për përvojën traumatike që kaluan të gjithë në bordin e SQ321,” shtoi ai.

Të plagosur mbetën 71 e pasagjerë, të cilët po trajtohen në një spital në Bangkok, ku avioni bëri ulje emergjente. BBC News raporton se 6 prej tyre janë në gjendje të rëndë për jetën. Ndërkohë, nga kryeqyteti i Tajlandës, 143 persona të tjerë të cilët fatmirësisht nuk pësuan lëndime, u dërguan në Singapor gjatë natës.

Në lidhje me inicidentin, kryeministri i ri i Singaporit Lawrence Wong ka premtuar një hetim të plotë mbi rrethanat e ngjarjes.

“Ngushëllimet e mia më të thella edhe një herë për familjen dhe të dashurit e të ndjerit. Gjithashtu shpresoj dhe lutem që të lënduarit të shërohen dhe të kthehen së shpejti në shtëpi”, tha ai.

Ky incident është një nga incidentet më të mëdha që Wong i është dashur të përballet vetëm një javë në rolin e tij si udhëheqësi i ri i Singaporit. Ndërkohë, ky shënon dhe incidentin e parë fatal për “Singapore Airlines” në 24 vjet./tvklan.al