Paqëndrueshmëria politike gjatë muajve të ardhshëm parashikohet të ndikojë në rënien e ekonomisë. Sipas një studimi të insitutit gjerman për kërkime ekonomike, ekonomistët shqiptarë janë shprehur pesimiste në lidhje me ecurinë e investimeve dhe rritjes ekonomike deri në fund të vitit. Gramoz Pashko mendon se klima e zgjedhjeve të përgjithshme dhe efektet e kursit të këmbimit krijojnë premisa për parashikime negative.

Gramoz Pashko: “Ekonomia shqiptare mund të qëndrojë në disa parametra stabël, por vazhdon të ketë brenda saj, të jetë sikur po ecën në një fushë të minuar që gjithmonë mundet të ndodhin dukuri të tilla të cilat të shkaktojnë pa pritur e pa kujtuar, përkeqësim. Këtë vit ne patëm dhe kemi një vit elektoral çka bën që të kemi probleme të qeverisjes; së dyti, viti elektoral bën që të kemi probleme investimesh, bën që shpenzimet e buxhetit të kalojnë në drejtime relativisht të pakontrolluara për shkak të fushatës elektorale. Gjëra që njihen tashmë. Kemi një mbivlerësim të lekut, kemi një rritje të çmimit ndërkombëtar të naftës. Të gjithë këto janë elemente, të cilat, unë do të thoja që nuk bëjnë që perspektiva për vitin e ardhshëm të jetë ngjyrë rozë. D.m.th. të jetë e mirë.”

Sipas ekonomistëve, edhe investimet publike edhe ato private parashikohet të ketë rënie.

Gramoz Pashko: “Është e paqartë politika tatimore, është e paqartë për ato që thamë pak më parë, parashikimi i ardhshëm i fitimit dhe i kthimit të kapitalit për ato investime që do të bëhen. Është një vit elektoral dhe njerëzit janë të pasigurt të investojnë apo të mos investojnë. Ka një masë shumë të madhe paraje që qarkullon jashtë bankave. Vazhdon të jetë i limituar krediti për privatet, pra të gjitha këto bëjnë që klima e investimit për privatët të mos jetë fort e favorshme për sa i përket një parashikimi që do të bënim në nji ose dy vitet e ardhshme.”

Sipas raportit, ekonomistët shqiptarë janë më pesimistët në Evropën Juglinodre për mungesën e besimit te politikat qeverisëse. /tvklan.al