Në 2020-n u rrit me gjysmë miliard Euro, shtesa më e lartë në dy dekada

Gjatë vitit 2020, paraja në formën e Cash-it jashtë sistemit bankar që ka qarkulluar në vendin tonë, ka arritur në rekorde historike.  Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, paraja në kanalet jo-zyrtare ishte në fund të dhjetorit në 2.8 miliardë euro, duke u rritur vetëm gjatë vitit të shkuar me gjysmë miliardi Euro.

Kjo është shtesa më e lartë e parasë Cash që prej vitit 2002, kur datojnë edhe statistikat e bankës qendrore mbi këta agregatë.

Krahasuar me nëntorin, paraja jashtë bankave u rrit me 100 milion Euro, ndërsa në total gjatë 5 viteve të fundit është shtuar me 800 milion Euro.  2020-a është viti me peshën më të lartë të rritjes së parasë në qarkullim.

Një dekadë më parë ky agregat monetar ishte dy herë më  i ulët se sot, 1.58 miliard Euro, ndërsa prej 2013 “cash-i” në ekonominë tonë është rritur me 40%, 18% vetëm gjatë vitit që lamë pas.

Njëkohësisht me paranë jashtë bankave, janë rritur edhe depozitat me afat dhe llogaritë rrjedhëse të individëve e bizneseve.

Ekzekutivi ka marrë një sërë masash për të ulur qarkullimin e parasë jashtë bankave në ekonomi, duke detyruar hapjen e llogarive bankare edhe për bizneset e vogla dhe mos pranimin e dy bilanceve në banka për dhënien e kredive për kompanitë private, por pavarësisht kësaj, ky fenomen vetëm është rritur.

Tv Klan