Emocionuese! Ky është përkufizimi për të përshkruar momentin kur futbollistët e Francës u pritën në Palais de L’Elysee, nga presidenti i vendit Emmanuel Macron.

Edhe pse kjo pritje ishte krejt formale, pasi presidenti qëndroi deri vonë natën e së dielës me skuadrën përsëri takimi mes tyre ishte drithërues. Është e rrallë që ky trofe të fitohet. Në Francë erdhi për herë të dytë pas 20 vitesh. Krenaria e futbollistëve natyrshëm solli edhe një herë himnin kombëtar, Marseillaise, e nisur nga Olivier Giroud.

Presidenti Macron nuk mundi t’i shmangej fjalimit të zakonshëm.

“Dua të them tre gjera. E para: Faleminderit të gjithëve. Trajnerit, kapitenit dhe të gjithë ekipit. Faleminderit që sollët këtë kupë. Që na bëtë krenarë, që na bashkuat. E dyta mos ndryshoni. Ky ekip është i bukur, sa na bashkoi dhe bëri krenare Francën. E treta: Mos harroni nga ku vini. Dhe ju vini nga Franca. Nga klubet që ju formuan”.

Franca mbërriti pasditen e kësaj të hëne në Paris, që në aeroport u prit nga përfaqësues shtetërorë. Autobusi i ekipit më pas u shoqërua deri në qendër të Parisit nga qindra tifozë me motoçikleta. Në Champs Elysee ishte festa e vërtetë. Qindra mijëra francezë dhe jo vetëm, kishin mbushur bulevardin për të përshëndetur skuadrën. Ceremonia u zhvillua nën masa të jashtëzakonshme sigurie.

Tv Klan