Pas përmbylljes së turit “Dialog me Shqipërinë” Partia Socialiste ka mbledhur asamblenë e saj kombëtare për të diskutuar mbi programin e ri qeverisës me të cilin selia rozë do të konkurrojë në zgjedhjet e 2009-tës.

Gjatë punimeve të forumit të lartë socialist, të zhvilluar në Cakran të Fierit, kreu socialist Edi Rama u shpreh për një bashkim të ri mes shqiptarëve.

Edi Rama: “Nuk është fjala për të krijuar një bashkim numerik, si bashkimi numerik që Sali Berisha ka krijuar duke mbajtur vetë timon, duke i lënë gomat t’i djegë Lufter Xhuveli, duke e lënë bagazhin t’ia hedhë në erë Fatmir Mediu, duke ia lënë valixhen e ndihmës së shpejtë, Nard Ndokës.”

Duke folur për mënyrën e re të të bërit opozitë Rama i ka ftuar anëtarët e asamblesë të jenë zëdhënës të një politike që i kapërcen kufijtë e partive.

Edi Rama: “Një palo qeveri nuk mund të ndryshojë me një palo opozitë. Qëllimi ynë është të ndryshojmë qeverinë dhe qeverisjen duke qenë në gjendje që të ndryshojmë kahjen e politikës dhe të vizionit e të funksionit të pushtetit”.

Kryetari socialist u shpreh se për programin e ri të Partisë Socialiste janë angazhuar pesë kryeministra evropianë dhe mjaft ekspertë të huaj.

Drafti i parë i këtij dokumenti do të jetë gati në muajin Shtator./tvklan.al