Partitë e vogla kontestojnë projektrregulloren e re të kuvendit. Kryetari i Partisë Socialdemokrate thotë se drafti kërkon t’i imponojë kuvendit rregullat e partisë në pushtet.

Skënder Gjinushi: “Këtu është përfituar, pastaj për të shtuar edhe disa nene të cilat duan t’i shërbejnë një politike të caktuar dhe ndryshimi i grupeve parlamentare i numrit për të krijuar grup nuk mund të jetë një akt që të kryhet gjatë një legjislature, sepse kjo lidhet dhe me vetë ligjin elektoral, lidhet me pragun elektoral dhe rrjedhimisht nuk mund të ndryshosh rregullat e lojës gjatë legjislaturës. Kështu që, më duket që është një përpjekje e dëshpëruar për lojra politike. Se numri i 5-ës, për shembull është nisur me pragun, pragu është 2.5%, i bie afërsisht 4 deputetët deri në 5, rrjedhimisht është vënë si kusht për të krijuar grup, numri 5. Aty pastaj ka dhe ca forma, ku di unë, dënimi për deputetët që largohen nga grupet. Ky është vënë pak d.m.th. është bërë në frymën e statutit tonë, të partive, kështu që është frymëzuar pak nga problemet e brendshme. Por parlamenti s’duhet të përjetojë. Neoparlamenti s’duhet të përjetojë emocionet partiake, është tjetër gjë grupi parlamentar dhe janë tjetër gjë problemet që mund të kenë partitë, dhe ikjen dhe ardhjen e deputetëve. P.sh. ne mund të na interesonte për ndonjë që ka ikur, por përsëri nuk jemi dakord më të tilla masa shtrënguese, që po ike nga grupi nuk krijon dot grup tjetër, je i detyruar të rrish i pavarur.”

Nga Partia Bashkimi i të Drejtave të Njeriut, kryetari Vangjel Dule, mendon se zgjedhjet e fundit elektorale dëshmuan domosdoshmërinë e subjekteve të tjera politike, ndaj dy partitë e mëdha, pavarsisht nga dëshira nuk e kanë të lehtë t’i mbyllin dyert parlamentarizmit në Shqipëri.

Vangjel Dule: “ Kodi elektoral, me të cilin u zhvilluan zgjedhjet për pushtetin vendor, ishte zanafilla e qëndrimit të dy forcave të mëdha politke për të kufizuar influencën elektorale të forcave të vogla politike. Çfarë tregoi implementimi i këtij kodi? Se nuk mund të kufizohet shprehja dhe përfaqësimi politik me mjete artificiale. Rrjedhimisht çdo gjë që mund të bëhet, ose çdo tentaive nga ana e dy forcave të politike dhe, e theksoj, ka indikacione të fuqishme nëse do të tentohet nga dy forcat e mëdha politike një kufizim artificial i përfaqësimit, nuk do të jetë në favor të zhvillimeve politike. Pra, nuk mund të kufizohet demokracia me mjete të cilat nuk janë ne vetvete demokratike.”/tvklan.al