Zhvillohet seanca e parë për çështjen “Çinari”

Ka zgjatur rreth 4 orë seanca dëgjimore në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë në të cilën Partizani pretendon zhbllokimin e merkatos mbi çështjen e futbollistit Erald Çinari, kartoni i të cilit pretendohet nga klubi kroat Istra.

Në dosjen e përgatitur nga zyra juridike, klubi i kuq e konsideron veten tërësisht të pafajshëm në raport me atë që kërkohet nga Istra dhe për dënimin nga FIFA. Sipas zyrës juridike, Partizani ka blerë kartonin e lojtarit nga Vllaznia dhe nuk e ka “rrëmbyer” atë siç pretendohet nga kroatët. Klubi i fundit ku ka qenë i regjistruar lojtari përpara se te kalonte tek Partizani, ka qenë Vllaznia dhe jo Istra.

Për këtë janë bërë gjithë verifikimet e mundshme përpara se Çinari të federohej, duke përfshirë dhe verifikimet në FSHF dhe sistemet e FIFA-s. Për këto ekzistojnë prova shkresore. Gjithashtu janë marrë edhe deklaratat përkatëse nga Vllaznia dhe lojtari në të cilat garantohej se nuk ishte nënshkruar asnjë marrëveshje me asnjë klub tjetër për tjetërsimin e te drejtave te kartonit të lojtarit.

Në seancën dëgjimore të mbajtur online në bashkëpunim me një studio juridike spanjolle, të kuqtë kanë kërkuar nga CAS që të shpallë vetëm dispozitivin e vendimit dhe të mos pritet për vendimin e arsyetuar në tërësi, çka do të kërkonte shumë kohë, ndoshta dhe tre muaj. Shpallja menjëherë e vendimit, nëse do të ishte në favorin e Partizanit do të mund të na lejonte kryerjen e merkatos në Janar.

Tv Klan