Partizani është në ditët e fundit të përgatitjes për ndeshjen e kthimit ndaj Qarabag, e vlefshme për eliminatoret e Champions League. Trajneri Lerda vazhdon t’i zhvillojë stërvitjet me dyer të mbyllura, por italiani pranon se e kanë analizuar mirë kundërshtarin dhe ndeshjen e parë të zhvilluar në “Selman Stërmasi”.

“Jemi gati. Do të na duhet të rregullojmë edhe diçka të vogël, por kemi kohë për ta bërë në seancat e fundit. E kemi riparë ndeshjen dhe kemi analizuar aksionet sulmuese tonat dhe të kundërshtarit. Shkojmë në Baku me besimin që do të luajmë mundësitë tona”.

Franco Lerda parashikon një ndeshje të vështirë, për të cilën nuk do të ndryshojë shumë strategjinë e lojës. Ai madje ka përgatitur skuadrën për të shkuar edhe tek 11 metërshat.

“Jemi të ndërgjegjshëm se çfarë kundërshtari kemi përballë. Është një skuadër me buxhet prej 25 milionë eurosh. Por në futboll ndodh gjithçka, kështu që ne do të kërkojmë të shfrytëzojmë shanset tona”.

Qarabag-Partizani do të luhet të mërkurën në orën 19:00. Ne rast të eliminimit, të kuqtë vijojnë garën në turin e dytë të Europa Ligës. 

Tv Klan