Britania e Madhe ka dërguar dy luftanije në Gjirin Persik pas sulmit të SHBA-së për vrasjen e gjeneralit iranian Qasim Soleimani.

Sekretari britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace, ka konfirmuar për mediat britanike se qeveria vendosi dërgimin e dy luftanijeve në Gjirin Persik në Lindjen e Mesme. Sipas tij, kjo masë është marrë për të mbrojtur qytetarët britanikë në rajon në një kohë kur tensionet mes SHBA-së dhe Iranit janë në pikën më të lartë.

Sekretari britanik i Mbrojtjes tha gjithashtu se kishte biseduar në telefon me homologun e tij amerikan, ndërsa u bëri thirrje gjithë palëve që të ulin tensionet.

Gjatë muajve të fundit, forcat amerikane që janë vendosur në Irak me ftesë të qeverisë irakene, janë sulmuar vazhdimisht nga militantët që mbështeten nga Irani. SHBA thotë se ishte pikërisht gjenerali Soleimani që organizonte këto sulme ndaj amerikanëve, dhe për këtë arsye Presidenti Donald Trump urdhëroi vrasjen e tij.

Gjenerali iranian u eliminua në një sulm me raketa nga ajri përmes dronëve. Ai ishte komandant i forcave elitë “Quds” të Iranit, si dhe konsiderohej arkitekt i mbrojtjes së këtij shteti. Sot u mbajt ceremonia mortore e gjeneralit, ku morën pjesë një numër i madh qytetarësh iranianë, të cilët shpërthyen në thirrje kundër Amerikës.

Sot reagoi edhe Presidenti amerikan Donald Trump, i cili tha se vrasja e gjeneralit ishte mbrojtje për të parandaluar sulme të tjera ndaj amerikanëve, dhe jo një akt lufte. Por ndryshe mendon Irani, që është zotuar se do të hakmerret. /tvklan.al