Konkluzionet e Fondit Monetar Ndërkombëtar, sipas Partisë Demokratike janë një shuplakë për qeverinë shqiptare, pasi faktojnë denoncimet e opozitës për përkeqësimin e treguesve të ekonomisë. Ish-deputetja Jorida Tabaku tha se përgjegjëse për rritjen e borxhit dhe uljen ekonomike janë politikat e padrejta, klienteliste dhe korruptive të qeverisë.

“Rritja e borxhit publik, ulja selektive e taksave për bizneset e disa oligarkëve dhe PPP-të korruptive kanë dobësuar ekonominë, duke ndikuar për keq në çdo familje që nuk është në biznes me qeverinë. rritja ekonomike është në mëshirën e reshjeve të shiut. Me një borxh ekonomik në kufijtë e 70% të PBB-së, FMN i tërheq vëmendjen qeverisë se ka shteruar pothuajse çdo mundësi tjetër për të marrë borxh. Në mungesë të investimeve të reja, me paaftësinë dhe vendimet korruptive, qeveria e ka çuar ekonominë e vendit në një udhëkryq të rrezikshëm”. 

Opozita thotë se një tjetër tregues që ndikuar në rritjen e borxhit publik janë edhe detyrimet e prapambetura prej 300 milionë euro, që qeveria i ka biznesit, si dhe rimbursimi i TVSH-së, që selia blu thotë se llogaritet të ketë shkuar në 120 mln Euro.

Tv Klan