Partia Demokratike ka paditur për shpërdorim detyre Sekretarin e Përgjithshëm të Kuvendit, të cilin e akuzon se në kundërshtim me ligjin ka lëshuar vërtetim fals për deputetin Andi Përmeti, në mënyrë që Bindja Demokratike të regjistrohet në zgjedhje.

“Në një akt të paprecedentë, për llogari të Edi Ramës, Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit ka falsifikuar dokumentet zyrtare, duke lëshuar për partinë fantazmë të Edi Ramës një vërtetim, sikur përfaqësohet në Kuvend nga një deputet që ka 6 muaj që ushtron mandatin e tij. Bëhet fjalë për deputetin Andi Përmeti, i cili nuk ka mbushur as 1 muaj në marrjen e mandatit.”

Por sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit Genc Gjonçaj në një reagim të tij thotë se nuk ka asnjë shkelje ligjore në dokumentin që i është paraqitur Komisionit të Zgjedhjeve për deputetin Andi Përmeti. Sipas tij, pika 3 e nenit 68 është e qartë kur përcakton se për t’u regjistruar në zgjedhje partia duhet të ketë mandat deputeti ne 6 muaj e fundit. Ai thotë se Përmeti është në rregull me dispozitën pasi zotëron mandat që pres 25 Prillit të këtij viti.

Ndërsa koordinatori i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi publikoi dokumentin, sipas te cilit “BINDJA DEMOKRATIKE “ ka firmat e dy deputetëve për të garuar dhe kandiduar në gjithë Shqipërinë, Andi Përmetit dhe Lefter Kokës. Patozi shkruan se partia e vetëdjegur e Lulzim Bashës nuk do të na pengojnë dot kurrë “Bindjen Demokratike” të garojmë në 26 bashki me kandidatë për kryetar dhe në 55 të tilla me kandidate për këshillat bashkiakë.

Tv Klan