“Me Ramën, ekonomia në depresion”

Për demokratët raporti i Fondit Monetar Ndërkombëtar është dëshmi e qartë e katastrofës në të cilën ndodhen financat publike. Ish-deputetja Jorida Tabaku sqaron se rënia në depresion e ekonomisë shqiptare ka ardhur si pasojë e koncensioneve klienteliste të qeverisë, paratë e të cilave duhet të ishin injektuar në ekonomi për të shmangur efektin negativ të krizës ekonomike.

“Zgjodhi pagesat ndaj koncesioneve të oligarkëve përpara pagesës së nevojave të shqiptarëve në mes të pandemisë. Shqipëria ka paketën më të ulët në rajon për mbështetjen e pandemisë dhe kjo ka rezultuar në impaktin më të madh negativ të krizës në xhepat e shqiptarëve dhe buxhetin e shtetit.”

 Tabaku shkon edhe më tej, kur flet për një rënie në recension ekonomik sa 7.5% e Prodhimit të Brendshëm Bruto.

“Kjo do të thotë një krizë edhe më e thellë në tavolinat e shqiptarëve, një rënie e të ardhurave në xhepat e qytetarëve, më shumë biznese të mbyllura dhe më shumë të papunë”.

 Sipas opozitës, Shqipëria renditet e dyta në rajon për Borxhin Publik dhe se vitin e ardhshëm ai pritet të shkojë në nivelin e  81.9% të Prodhimit të Brendshëm Bruto , pa përllogaritur detyrimet ndaj PPP-ve.

Tv Klan