Arkiva Lajme – Tv Klan 2000

Kryesia e Partisë Demokratike ka përjashtuar nga grupi parlamentar i kësaj partie deputetët Genc Pollo, Ferdinand Xhaferri, Leonard Demi e Ylli Vejsiu. Kryesia ka vendosur gjithashtu që grup seksionet ku bëjnë pjesë këta deputetë të marrin vendimin për qëndrimin e tyre si anëtarë të thjeshtë të PD-së.

Sipas sekretarit të përgjithshëm të PD-së, Ridvan Bode vendimi I djeshëm vetëm ka rikonfirmuar atë çka është vendosur në këshillin kombëtar më 13 dhjetor të vitit që shkoi. Kjo mbledhje sipas Bodes kishte kondicionuar se në qoftë se këta deputetë do të kërkonin ndihmën e kartonave të socialistëve do të përjashtoheshin nga grupi parlamentar.

Ndërkohë zyrtarët e lartë demokratë nuk shqetësohen edhe pse pikërisht pas këtyre përjashtimeve do të vij në Tiranë një delegacion i EDU-së. Për Boden lidhjet e PD me këtë organizëm janë ngritur mbi principe dhe nuk mund të prishen kurrësesi./tvklan.al

Gazetare – Ornela Bego