Fëmijët nuk duhet të lejohen të përdorin rrjetet sociale pa mbushur 18-vjeç. Këtë mendim e jep një ekip ekspertësh francezë, të cilëve u është kërkuar nga presidenti Emmanuel Macron, të japin këshillat e tyre për një rregullore të re, të paprecedentë në Francë që kufizon ekspozimin e fëmijëve dhe adoleshentëve në rrjetet sociale.

Raporti i ekspertëve, i konsideruar si tepër i ashpër rekomandon që fëmijët duhet të mbrohen nga industria e teknologjisë së lartë, që sipas tyre është e orientuar vetëm drejt përfitimeve sa më të mëdha.

Ekspertët thonë se strategjitë e zhvilluara prej tyre synojnë të tërheqin sa më shumë vëmendjen e fëmijëve, duke përdorur çdo formë për të mos i larguar ata nga ekranet, për t’i mbajtur nën kontroll për t’i angazhuar dhe për t’i futur ata në botën e fitimeve.

Mes varianteve të rregullave që po diskutohen parashikohet që fëmijëve mes moshave 11 dhe 13 vjeç t’u lejohet përdorimi i celularëve vetëm pa internet, ndërsa deri në moshën 15-vjeçare t’u lejohet përdorimi, vetëm i atyre rrjeteve sociale që përmbushin standardet etike.

Tv Klan