PD shpall zgjedhjet për kryetar



PD shpall zgjedhjet për kryetar

23:08 16/05/2021

Basha: Zgjedhjet u vodhën, PD ka vend për të gjithë

Demokratët do të shkojnë në zgjedhje më 13 Qershor për të votuar për kryetarin e ri të partisë. Vendimi është marrë në mbledhjen e Kryesisë së Partisë Demokratike dhe më pas i është komunikuar edhe Këshillit Kombëtar.

Por pavarësisht hapjes së procesit zgjedhor brenda partisë, mbledhjet e këtyre dy forumeve të larta të PD-së, janë shoqëruar me debate të forta mes kritikëve të kryetarit aktual të PD-së dhe vetë Lulzim Bashës.

Mësohet se gjatë fjalës së tij të mbajtur fillimisht në kryesi Basha i ka cilësuar zgjedhjet e 25 Prillit si masakrën më të madhe elektorale në historinë e pluralizmit, ndaj ka theksuar se gishti i përgjegjësisë duhet të drejtohet te kundërshtari politik.

Përndryshe, ka theksuar Basha, nëse përgjegjësi për rezultatin kërkohet brenda radhëve të demokratëve, atëherë nuk bëhet gjë tjetër veçse kalçifikohen antivlerat.

Ai gjithashtu mësohet se është shprehur se në PD ka vend për të gjithë, por askush në të nuk mund të ketë vizione të ndryshme për vjedhjen e zgjedhjeve.

Ndaj duke besuar se shqiptarët më 25 Prill votuan ndryshimin, ai ka ftuar të gjithë demokratët që të vazhdojnë betejën e nisur.

Por argumentet e sjella prej Bashës, nuk kanë ndryshuar qëndrimin e kandidatit të vetëshpallur për kryetar të PD-së, Fatbardh Kadilli, i cili e ka quajtur Bashën humbës përsëritës.

Sipas tij problemet me zgjedhjet nuk duhet të justifikojnë humbjen e Partisë Demokratike, e cila sipas tij është përgjegjësi e plotë e kryetarit të partisë. Ndaj Kadilli ka kërkuar edhe një herë dorëheqjen e parevokueshme të Bashës.

Pas kryesisë debati mes Bashës dhe kundërshtarëve të tij brenda partisë u zhvendos në mbledhjen e Këshillit Kombëtar, ku numri i kritikëve të tij është edhe më i madh, përfshi këtu edhe ish-Presidentin Bujar Nishani.

Zgjedhjeve për kryetar do t’i paraprijë fillimisht një analizë që do zhvillohet në çdo degë e organizatë dhe secili kandidat do të ketë 12 ditë kohë për të zhvilluar fushatën dhe për të shfaqur vizionin për drejtimin e kësaj force.

Tv Klan







Të ngjashme