Mbi 30 mijë persona kanë aplikuar vetëm për 30 minuta në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës, për të tërhequr 10 për qind të kursimeve pensionale, tha për Radion Evropa e Lirë, kryesuesi i Bordit të Fondit të Kursimeve Pensionale, Ruzhdi Morina.

“Për 10 minuta rreth 1,000 qytetarë po aplikojnë për të tërhequr kursimet” tha ai duke shtuar se aplikimi është duke shkuar shumë mirë dhe për këtë janë krijuar disa linqe.

Njëri prej tyre është funksionuar pas atyre që janë konsideruar sulme kibernetike ndaj faqes kryesore që ishte krijuar për tërheqje të fondeve.

Procesi i aplikimit online ishte paraparë që të niste nga ora 15:00, por për shkak të sulmit, mundësitë tjera janë vënë në funksion para orës 16:00.

Sa i përket këtij incidenti, Morina ka thënë se autoritetet nuk kanë njohuri prej nga ka ardhur sulmi.

Në bazë të Ligjit për rimëkëmbje ekonomike, qytetarët do të kenë mundësi që të tërheqin vetëm 10 për qind të shumës së siguruar për kursime pensionale, që kanë fituar gjatë kohës sa kanë punuar, por edhe në bazë të vlerës së pagës që marrin.

Aplikimi online do të zgjasë katër muaj. Të gjithë të punësuarit në Kosovë paguajnë 10 për qind kontribute pensionale nga paga e tyre: pesë për qind të shumës së përgjithshme të pagës e paguan punëdhënësi nga buxheti i tij, kurse pesë për qind paguhet nga paga e punëtorit./REL