Lajme Arkiva 2003

Për herë të parë në 11 vitet e fundit buxheti i shtetit nuk ka rezervuar ende para për të rritur pagat e buxhetorëve. 187 mijë buxhetorët në të gjithë vendin nuk do të marrin rritjen e premtuar dhe të përvitshme të pagave prej 10%.

Ministria e Financave parashikonte në projektbuxhetin e vitit 2003, të miratuar edhe në parlament të akordonte rritjen e pagës në korrik për buxhetorët, duke patur si prioritet sektorët e shëndetësisë dhe të arsimit, kjo rritje u shty për në gusht, e më pas për në shtator.

Rritja e vetme e pagës që është aplikuar nga Ministria e Financave është kufizuar në rritjen e pagës minimale vetëm për 7500 punonjës. Pagat e buxhetorëve rriten çdo korrik me afro 10% për të balancuar efektet e inflacionit.

Ministria e Financave nuk deklaron ndonjë afat qoftë edhe të shtyrë, për rritjen e pagave. Mendohet se problemet me buxhetin e shtetit të jenë arsyet që kanë bllokuar akordimin e fondeve.

Buxheti i vitit 2003 është karakterizuar nga investime të ulëta, shpenzime të larta dhe shkurtim të fondit rezervë dhe subvencioneve të energjetikës, shkurtime këto të realizuara edhe me pëlqimin e FMN-së dhe që pritet të shpëtojnë menaxhimin e buxhetit.

Ministri i Financave Kastriot Islami nuk ka preferuar të jap shpjegime për problemet e buxhetit gjatë prezantimit për herë të 4 të broshurave që programojnë buxhetet afatmesme për vitet e ardhshme./tvklan.al