Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj shpjegon procedurën

Një problematikë që duket se shumë qytetarë po hasin është fakti se telefonojnë numrin 127 duke kërkuar që t’i bëhet tamponi, një moment që dyshojnë se mund të jenë prekur nga Covid. Në studion e “Opinion”,Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj tha se 127 nuk është numër për të kërkuar bërjen e tamponit. Sipas tij, është epidemiologu ai që bën tamponin pasi është sinjalizuar nga 127, mjeku i familjes apo urgjenca e spitaleve.

Blendi Fevziu: Pra po të fillojnë të kenë vështirësi në frymëmarrje duhet të marrin 127-n? 127 nuk përgjigjet…

Skënder Brataj: Tani mos ta fillojmë këtë nga e para…

Blendi Fevziu: Shumica e mesazheve kështu thonë.

Skënder Brataj: Shumica e mesazheve thonë nuk përgjigjet 127, sepse marrin 5 herë rresht për të thënë nuk po vjen njeri për të bërë tamponin. Nuk e bën tamponin 127, ta marrin vesh njëherë e mirë.

Blendi Fevziu: Po tani kë të marrin ata për tamponin?

Skënder Brataj: Për tamponin epidemiologun, ne ia kemi kaluar…

Blendi Fevziu: Po ku ta gjejnë epidemiologun?

Skënder Brataj: Njësia vendore, mjeku i familjes.

Blendi Fevziu: Po çfarë konfuzioni është ky për një njeri pensionist, 75-vjeç që ka simptoma, të marrë epidemiologun?

Skënder Brataj: Jo, epidemiologu do të marrë pacientin që është skeduar nga 127, nga mjeku i familjes, nga urgjencat e spitaleve etj./tvklan.al