Ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe Rusia arritën “marrëveshjen e përkohshme” për armëpushimin në Siri, në Homs dhe Damask ndodhen disa shpërthime që vranë të paktën 87 persona, kryesisht civilë.

Në Homs, nga shpërthimi i dy autobombave në lagjen e Alaviteve humbën jetën 57 persona, ndërsa 100 të tjerë u plagosën.

Në lagjen Sajida Zeinab, ku ndodhet vendi i shenjtë shi’it, në jug të Damaskut  u regjistruan katër shpërthime, njëri prej të cilëve nga 1 makinë bombë, që shkaktuan vdekjen e 30 personave.

Nuk është ende e qartë autorësia e sulmeve në Homs dhe Damask, por Shteti Islamik ka vënë shpesh në shenjestër këto qytete.

Qyteti i Homsit njihet si qendra e parë e kryengritjes kundër Bashar Al Asadit, madje u pagëzua si “kryeqyteti i Revolucionit”.  Vitin e kaluar, kryengritësit u tërhoqen pas një pakti armëpushimi dhe e lanë atë në duart e ushtrisë siriane.

Incidenti i fundit vjen, ndërsa presidenti Asad, përmes nje letre të publikuar në gazetën spanjolle “El Pais” tha se pas 10 vjetësh ai do të kujtohet si “shpëtimtari i Sirisë”.

Tv Klan