Përleshje në Hong-Kong

Përleshje në Hong-Kong

12:55 01/07/2019

Policia në Hong-Kong u përlesh me protestuesit në përvjetorin e kthimit të ish-kolonisë britanike nën sundimin e Kinës. Ceremonia e ngritjes së flamurit u zhvillua nën masa të rrepta të sigurisë, ndërsa policia përdori gaz lotsjellës për të zmbrapsur protestuesit që bllokuan një rrugë pranë.

Udhëheqësit e Hong-Kongut dhe të ftuarit në ceremoni e ndoqën nga brenda ngjarjen dhe jo nga jashtë, siç bëjnë zakonisht. Qeveria, megjithatë, tha se vendimi për të zhvendosur audiencën u mor për shkak të kushteve të motit.

Pasdite, qindra protestues po ashtu bënë përpjekje për të hyrë në legjislaturën e Hong-Kongut, ndërsa policia përdori spraj djegës për t’i shpërndarë ata. Në javët e fundit janë zhvilluar protesta masive në Hong-Kong, për shkak të një ligji që do të lejonte ekstradimin e të dyshuarve në Kinë.

Qeveria e ka pezulluar ligjin e propozuar për kohë të pacaktuar, por protestat vazhdojnë ende. Hong-Kongu, ish-koloni britanike, është pjesë e Kinës që nga viti 1997, nën marrëveshjen “një shtet, dy sisteme” që i garanton një nivel autonomie. Ceremoni për të shënuar dorëzimin britanik mbahen çdo vit. /REL

Të ngjashme
UKT