Një zhvillim i ri mjekësor mund të ndikojë pozitivisht në jetën e shumë grave. Tashmë gratë mund të vonojnë menopauzën deri në 20 vjet.

Procedura mjekësore ngrin indet nga vezoret duke ndikuar në orën e tyre biologjike. Kjo metodë ka përfitime të mëdha shëndetësore për gratë, të cilave menopauza u shkakton probleme serioze në shëndet, sikurse janë osteoporoza dhe sëmundjet e zemrës. Po kështu, evitohen edhe djersitjet gjatë natës, problemet me kujtesën, ndryshimet e humorit dhe ankthi, të gjitha këto efekte anësore që shkaktohen nga menopauza, raporton Sunday Times.

Procedura mjekësore që vonon menopauzën, e para e këtij lloji në botë, kryhet përmes ndërhyrjes kirurgjikale dhe zgjat më pak se 30 minuta. Studiuesit thonë se atë mund ta përfitojnë gratë deri në moshën 40-vjeçare.

Në Britani të Madhe, deri më tani janë shënuar 9 raste. Operacioni kryhet në Birmingham të Britanisë nga një kompani e quajtur “ProFaM”, e bashkëthemeluar nga katër ekspertë të kësaj fushe. /tvklan.al