“I turpshëm edhe qëndrimi i tij në zyrën e Presidentit”

Edi Rama “theu” heshtjen dhe pas një jave foli për sulmin e Presidentit të Republikës ndaj disa prej përfaqësuesve të selive diplomatike në Tiranë.

E quan të turpshme sjelljen e Ilir Metës, ashtu si edhe qëndrimin e tij në zyrën e kreut të shtetit.

Ajo që ai bën ndaj përfaqësuesve të vendeve partnere në Shqipëri, është jo vetëm e turpshme për të gjithë ne, jo vetëm në kundërshtim me Konventën e Vjenës që mbron integritetin fizik dhe dinjitetin e çdo diplomati si përgjegjësi e shtetit ku është, por është e turpshme edhe për paraardhësit tanë që kur kanë shkruar Kanunin që thotë se shtëpia e shqiptarit, është e Zotit dhe e mikut… Turp, turp, turp”!

Kryeministri tha se qëllimi i vetëm i partnerëve strategjikë SHBA dhe BE është çlirimi i drejtësisë shqiptare nga kthetrat e krimit dhe korrupsionit.

Sidoqoftë ne do të jemi 100% në një linjë me SHBA, jo se na e kërkojnë ata por se ne e bëjmë përshtetbërjen këtu dhe për gjeneratat e tjera, sepse kjo është rruga e duhur. Që në Shqipëri të bëhet reforma në drejtësi , të pastrohet llumi nga pallati i drejtësisë, që krimi i organizuar të mos guxojë të dalë nga foletë si në gjithë botën, dhe të shfaqet me Lamburghini tek Blloku, nëpër plazhe me pistoleta, tek dera e X apo Y dhe t’ia marrë me zor pronën në bregdet apo në formën e disa pronarëve të rinj që janë ca pensionistë të mjerë që kanë vënë vetëm emrin aty…Këtë do ta bëjmë sepse e kërkon e ardhmja jonë dhe dinjiteti i secilit prej nesh dhe i kësaj force politike”.

Javën e kaluar, Presidenti Meta i cilësoi si palaço disa ambasadorë, që sipas tij kanë mbështetur Kryeministrin në kapjen e sistemit të drejtësisë, sulmoi ambasadën amerikane dhe atë të Bashkimit Europian dhe shpalli ‘non grata’ në zyrën e tij ambasadorin e OSBE –se, çka solli reagime në Washington e Bruksel. Bashkimi Europian i konsideroi deklaratat e tij si të papranueshme.

Tv Klan