Histori me zhurmues – Një trupë artistike gjermane e quajtur “Megafoni i kuq” gjatë periudhës së komunizmit viziton dhe jep shfaqje në Shqipëri.

Peter Platzman ishte një prej shoqëruesve të këtij grupi. Në një intervistë për emisionin “Histori me Zhurmues” të autorit dhe drejtuesit Pandi Laço ai rrëfen se eksperiencën në Shqipëri dhe punën 3-vjeçare në RTSH me bashkëshorten e tij.

“Ishte një trupë amatore që kishte fituar një konkurs që u bë tek ne midis të gjitha trupeve që jepnin shfaqje nëpër rrugë. Ne kemi bërë 17 shfaqje në të gjithë Shqipërinë, kemi filluar tek Akademia e Arteve dhe përfunduam tek Liqeni i Tiranës. Mbaj mend që kishte me mijëra spektatorë, pamje fantastike. Ne kishim me vete autobusin tonë e grupin e xhirimit. Në vitin 1973 unë erdha për herë të parë në Shqipëri si turist, shëtita gjithë Shqipërinë dhe u njoha me çiftin që punonte në RTSH në shtëpinë botuese të cilët kërkonin pasardhës. Në atë kohë ishte rregulluar puna mes dy partive, asaj Marksiste Leniniste dhe Partisë së Punës. Unë isha anëtar i patisë Marksiste Leniniste dhe kjo ishte një nga arsyet se përse më morën. Në fillim kemi redaktuar përkthimet e shqiptarëve, më pas mësuam vetë shqipen dhe filluam të redaktonim vetë. Gjatë periudhës që kam punuar në radio kam bashkëpunuar me teknikët e jashtëm. Nuk kishim kontakte me shqiptarët, lejen e qëndrimit e kishim vetëm për Tiranën. Në atë kohë kishim jetë sociale të mirë në Tiranë, shkonim nëpër aktivitete, shihnim shfaqje të ndryshme dhe filma dhe kjo na ndihmoi të përmirësonim edhe gjuhën.

Një herë na vodhën biçikletat mua dhe gruas time përpara kinemasë. Dy orë më vonë na sollën biçikletet dhe u habitëm si funksiononte kaq shpejt shteti. Unë dhe gruaja ime paguheshim nga 9.500 lekë në muaj dhe nuk dinim si t’i harxhonim, nuk kishim qera për të paguar, kishim kuzhinier dhe ishim mirë, por jo në krahasim me Gjermaninë. Të huajt kishin marrëdhënie mes njëri-tjetrin. Ne ishim të survejuar, por në atë kohë nuk e kam ndjerë. Vonë e kam marrë vesh. Pas tre vitesh qëndrim në Shqipëri u riktheva në Gjermani, por vija 2-3 herë në vit”,rrëfeu Peter Platzman.

*Ky material është pjesë përbërëse e arkivës së Televizionit Klan për periudhën 1998-2012 që do të publikohet në kanalin e ri në YouTube /RTV Klan Arkiv. /tvklan.al