Në pranga edhe 2 punëtorë të biznesmenit, prona u regjistrua në emër të tyre

Përpjekja për të përfituar një pronë publike në bregdet me anë të dokumenteve të falsifikuara çoi në pranga 4 persona këtë të mërkurë në Durrës. Të arrestuar janë një jurist, një biznesmen dhe dy punonjës të këtij të fundit.

Kështu, burime zyrtare të policisë bëjnë të ditur se në pranga ra Mikel Zaho, ish-jurist i Kadastrës së Durrësit dhe aktualisht jurist në Kadastrën e Tiranës, biznesmeni Ilias Fisheku, 62 vjeç, si dhe dy punëtorë të biznesmenit, 36-vjeçari Giraon Aliko dhe Rakip Haxhiu. Për Haxhiun policia ekzekutoi masën e arrestit në shtëpi.

Policia sqaron se “të lartpërmendurit, në bashkëpunim me njeri-tjetrin kanë aplikuar dhe regjistruar me dokumente të falsifikuara në hipotekën e Durrësit, një pasuri të paluajtshme 2000 m2 tokë truall dhe mbi të 550 m ndërtesë, në zonën bregdetare në fshatin Vrinjë, Njësia Administrative Rrashbull, rrethi Durrës. Pasuria është regjistruar në kadastër me dokumente të falsifikuara, në emër të Giraon Aliko dhe Rakip Haxhiu. Për regjistrimin e kësaj pasurie në zonën bregdetare Durrës janë hartuar me Photoshop, përdorur dhe depozituar dokumente të falsifikuara të leje së legalizimit për objektin me një sipërfaqe ndërtimi 550m2 dhe sipërfaqe trualli 2000 m2.”

Të arrestuarit akuzohen për falsifikim të dokumenteve dhe mashtrim./tvklan.al