Një shqiptar është sulmuar mbrëmjen e së premtes në Alessandria të Italisë. Bëhet fjalë për një 40-vjeçar, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur. Ai tashmë ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.

Ka qenë gruaja e tij që ka lajmëruar në orët e vona të së premtes autoritetet se burri iu kthye në shtëpi me plagë në duar. Ajo që do të zbulonte më vonë policia ishte se ai kishte marrë disa plagë në mushkëri.

Shqiptari ka kyçur gojën në spital dhe nuk ka treguar se çfarë ka ndodhur. Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe kanë gjetur disa njolla gjaku poshtë pallatit ku ai jetonte.

Ata po hetojnë për të zbardhur ngjarjen dhe dyshimi paraprak është një tentativë vrasjeje ndaj 40-vjeçarit. Ky i fundit, fatmirësisht, nuk ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore./tvklan.al