Policia e Tiranës ka gjobitur 40 qytetarë që u grumbulluan në sheshin para Teatrit Kombëtar mbrëmjen e së enjtes, për të kundërshtuar vendimin e Këshillit Bashkiak të Tiranës për prishjen e godinës.

Në një njoftim për mediat, policia thotë se protestuesit shkelën aktin normativ që ndalon qarkullimin dhe lëvizjen pas orës 17:30 në kuadër të pandemisë, si dhe nuk lejohet grumbullimi i turmave. Këtyre personave u është tërhequr edhe leja e drejtimit.

“Në zbatim të Aktit Normativ, shërbimet e Policisë kanë proceduar me masat administrative përkatëse, gjobë dhe tërheqje të lejes së drejtimit, shtetasit S. D., K. B., G. B., L. B., A. T., V. S., R. B., C. Gj., E. G., A. K., N. L., A. D., R. Z., E. B., A. T., L. S, G. G, A. N., P. Sh, E. K., M. C., R. Ç, Gj. U., F. K., I. S., R. V., B. H., A. F., A. Xh., R. H., D. K., F. S., D. H., A. R., A. Q., G. M., A. S., O. N., M. A. dhe O. H”, thotë Policia e Tiranës në njoftimin e saj.

Në mesin e personave të gjobitur është edhe kryetari i PD, Lulzim Basha, i cili mbrëmë ndodhej me protestuesit përpara godinës së Teatrit Kombëtar. Kjo është gjoba e dytë për Lulzim Bashën brenda 24 orëve, pasi paraditen e së enjtes u ul në një lokal në Durrës gjatë takimeve të tij me sipërmarrës.

“Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët, sidomos ata në zonat e kuqe që të respektojnë me rigorozitet oraret e lëvizjes dhe distancimin social dhe në këtë kuadër kërkon mirëkuptimin dhe ndihmën e qytetarëve në të gjithë vendin, që të kontribuojë secili në mbrojtjen e shëndetit nga kërcënimi i virusit vdekjeprurës COVID-19. Policia e Shtetit do të vijojë me angazhim të plotë e vullnet të palëkundur veprimtarinë e vet ligjzbatuese, në mbrojtje të jetës dhe rendit publik në kushtet e jashtëzakonshme të fatkeqësisë natyrore”, njofton policia./tvklan.al